Gjykata Supreme, në një njoftim për media të enjten, tha se ankesa e PDK-së është e pathemeltë.
“Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pathemeltë”, thuhet në njoftim.
“Gjykata Supreme, nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, me të cilin e ka hedhë poshtë si të pas-afatshme ankesën e subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës”, tha Supremja në njoftim.
Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja më së largu një ditë pas zgjedhjeve.
Neni 96 thotë se “vota përmes votimit jashtë Kosovës, e dërguar me postë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, pranohet nga KQZ-ja deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00, me kusht që të ketë vulën e dërgimit para ditës së zgjedhjeve”.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, shkroi të enjten e kaluar në Facebook se propozimi për pranimin e fletëvotimeve pas afatit u miratua në KQZ “me vetëdije se po bëhej shkelje ligjore, edhe pse kjo u arsyetua me qëllimin që të mos keqkuptohej se jemi kundër mërgatës”.
“Prandaj, organet kompetente duhet të vendosin në mënyrë meritore lidhur me vendimin e KQZ-së për pranimin e fletëvotimeve jashtë afatit ligjor”, shkroi Gashi.
Por, Alban Krasniqi – anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, e cila i fitoi bindshëm zgjedhjet përfshirë edhe votat me postë – e akuzoi PDK-në për ankesë të “turpshme” kundër mërgatës.



