Surroi: Kosova viktimë e historianëve amatorë e presidentëve injorantë

Përmes një shkrimi të bërë në profilin e tij zyrtar, publicisti Veton Surroi i është drejtuar presidentit Hashim Thaçit, lidhur me qëndrimet e tij për dialogun me Serbinë dhe rreth idesë së propozuar për shkëmbimin e territoreve, shkruan Gazeta Blic.

Në shkrimin e bërë, ai ka shkruar se presidenti po deklarohet në Washington se nuk duhet lejuar krijimi i një asociacioni të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, sepse do të thoshte krijimi i Republikës Serbe, ndërsa në vitin 2013 ishte pikërisht Thaçi, ai i cili ka nënshkruar me Serbinë marrëveshjen e Brukselit me të cilën krijohej Bashkësia e komunave serbe me kompetenca ekzekutive; në formë eksplicite si rrafsh i tretë i pushtetit.

Surroi, po ashtu ka folur edhe rreth deklaratave të bëra nga presidenti Thaçi për kufijtë e Kosovës, ai ka shtuar se deklarimet e tilla janë sikur të një historiani amator e jo përfaqësuesit kushtetues të Kosovës në botë.

Shihni shkrimin e plotë të Veton Surroit:

Hashim Thaçi ka deklaruar në Washington se nuk duhet lejuar krijimin e një asociacioni të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, sepse do të thoshte krijim i Republikës Serbe. Por, më 2013 ishte mu Hashim Thaçi ai që nënshkroi me Serbinë Marrëveshjen e Brukselit me të cilën krijohej Bashkësia e komunave serbe me kompetenca ekzekutive; në formë eksplicite si rrafsh i tretë i pushtetit.
Në Washington poashtu deklaroi se kufijtë e tanishëm të Kosovës nuk janë vullnet i popullit të saj, se janë produkt i Jugosllavisë. Një deklarim i këtillë është i një historiani amator, jo përfaqësuesit kushtetues të Kosovës në botë.
• Kufijtë e tanishëm të Kosovës janë pjesë e shprehjes së vullnetit të qytetarëve të saj për shtet të pavarur;
• Shpallja e pavarësisë u bë në këta kufinj dhe pas një procesi të gjatë të protektoratit e të negociatave ndërkombëtare.
• Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me mendimin e saj të korrikut të vitit 2010 ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Rrjedhimisht, Gjykata ka vlerësuar se procesi i gjatë, me protektorat të vendosur me Rezolutën 1244 të KS të OKB në kufijtë e tanishëm të Kosovës dhe me negociatat nën udhëheqjen e presidentit Ahtisaari të cilat krijuan bazën ndërkombëtare për njohjen e Kosovës në kufijtë që ka, është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
• Biseda për kufij mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete me konflikt të papërfunduar është juridikisht rihapje e tërë procesit që solli pavarësinë e vendit dhe njohjen e kufijve të Kosovës si kufij ndërkombëtar nga mbi 100 shtete dhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të saj nga ana e NATO-s.
Historiani amator ka të drejtë të elaborojë sipas qejfit intepretimet rreth kufijve, por presidenti i vendit jo.
Historiani amator ka të drejtë të jetë injorant. Presidentin e vendit injoranca nuk e mbron nga pasojat juridike dhe politike.
Varrezat e Evropës, përfshirë edhe ato në Kosovë, janë përplotë viktima të historianëve amatorë e presidentëve injorantë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme