Publicisti e shkrimtari Veton Surroi është përfshirë në debatin aktual për mundësinë e rivizatimit të kufijve në Kosovë e përgjithësisht të Ballkanit.
Surroi, pasi ka kundërshtuar propozimet për këtë “ridizajnim gjeografik”,’ i është referuar historisë duke theksuar se para rivizatimit të kufijve, në skenë kanë hyrë armët ndërsa lapsi ka vijëzuar vetëm atë që e ka arritur pushka.
Për këtë ide që ka filluar ta pushtojë hapësirën politike e mediale, Surroi në Facebook ka shkruar:
“Për propozimet e vizatimit të rinj të kufijve në anët tona:
prej Kongresit të Berlinit (1878) e këtej, çdo herë kur është paralajmëruar mundësia e rivizatimit të kufijve në skenë së pari kanë hyrë pushkët e topat, pastaj karrocat me ata refugjatë që kanë mundur të ikin dhe në fund , në tokat e djegura , topografët, gjeodetët dhe ekspertët e tjerë të lapsit.
Lapsi ka vizatuar atë që e ka mbërritur pushka. Dhe, lapsi nuk ka qenë në duar të shqiptarëve, siç nuk ka gjasa të jetë tash.”