Surroi: Në negociata duhet dikush që së paku di të lexojë, jo Hashim Thaçi

Publicistja Flaka Surroi ka publikuar një shkrim të ri në gazetën online KOHA, në të cilën ka folur kryesisht për çështjen e negociatave përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë – përcjell Periskopi.

Paraprakisht ajo ka thënë se aktualisht asnjërës prej partive politike në Kosovë nuk i konvenojnë reformat zgjedhore – duke qenë se janë mësuar të punojnë me këtë sistem zgjedhor.

Sa i përket negociatave përfundimtare me Serbinë, ajo ka implikuar se Thaçi nuk duhet të jetë në krye të tyre.

“Rreziku më i madh për Kosovën në këtë çast është që dikush si protagonisti kryesor i raportit Marty të vihet në krye të procesit negociator dhe që atje diku i mbyllur të pranojë të nënshkruajë çfarëdo dhe sido, vetëm që ta shpëtojë veten.” – ka thënë ndër të tjera Surroi.

Ajo ka implikuar se Thaçi ka ‘hipotekë politike’, nuk ka dije, dhe nuk di madje as të lexojë dokumente ligjore e të kuptojë të drejtën ndërkombëtare dhe që primar nuk e ka interesin e Kosovës por punët private.

Lexo shkrimin e plotë duke klikuar këtu.

 

Se a do të ketë sukses Kuvendi t’ia çimentojë përgjegjësinë e negociatave Haradinajt, mbetet të shihet. Por, pikërisht ky vendim mund t’i sjellë zgjedhjet e reja. Sepse Thaçi nuk mund ta paramendojë veten kurrë në plan të dytë, e sidomos përderisa ende mbi qafen e tij rri varur shpata e Speciales, e cila sërish u bë me kryeprokuror — pra teknikisht edhe pa arsye që ta shtyjë mosveprimin deri në pafund

Kosova, ky vend që nuk pran së befasuari, na e zbuloi edhe një ngjarje që në kushte normale nuk do të duhej të ndodhte në një vend normal. Por, duke e ditur se Kosova është qëmoti larg normales, na bëri vakia që mbledhja e Qeverisë, në të cilën duhej të shqyrtoheshin madje 13 pika të rendit të ditës, të mos mbahej për mungesë kuorumi.

Pra, për t’u mbajtur mbledhja e Qeverisë do të duhej të merrnin pjesë bile 12 ministra (hajde se zëvendëskryeministrat janë përherë busy në shëtitje e sipër, pra mbledhja bën edhe pa ta). Në mungesë të tyre, ndonjëri nga një zilion zëvendësministrat do të duhej të uleshin në mbledhjen e kabinetit — por ja që kishte qëlluar e premte, ora 14:00, koha më e pëlqyeshme për t’ia therrë për vikend diku, sepse shumë e lodhshme ka qenë kjo javë treditore e punës…

Paralajmërimi

Papërgjegjësia absolute e dëshmuar nga anëtarët e Qeverisë vetëm tregon se këtij ekzekutivi dhe atij legjislativi që ecën me këmbë të breshkës duket se nuk u kanë mbetur edhe shumë muaj për t’i shijuar privilegjet. Qysh tash po shihet se është bërë e qartë se të gjithë e kanë mendjen e kthyer nga rrëzimi i Qeverisë dhe zgjedhjet e reja, porse janë duke taktizuar me kohën se kur kishte me qenë çasti më i përshtatshëm për një punë të këtillë.

KQZ-ja tashmë u bë me kryetare të vjetër/të re, e cila deklaratën e parë ia kushtoi nevojës për reformimin e sistemit zgjedhor. Asnjërës parti, të mësuar të notojë në sistemin ekzistues që siguron kolltukë sipas kalkulimeve të ndërtuara mbi abstenimin e votuesve, nuk i konvenon reforma zgjedhore. Nga ana tjetër, fakti se shumica e partive nuk i kanë paguar as dënimet nga zgjedhjet e shkuara tregon se buxhetet u janë shterur, dhe se duhet të presin edhe ndonjë muaj për të marrë para nga fondi i demokratizimit për t’u përgatitur tutje.

Problemi i tretë është insistimi i evropianëve që deri në qershor të kalohen një sërë ligjesh që janë në kuadër të kërkesave që lidhen për liberalizimin e vizave dhe për obligimet që rrjedhin nga MSA-ja — që do të thotë se pa kaluar këto ligje s’ka rrëzim Qeverie, sepse të huajt nuk e përkrahin idenë në këtë çast.

Çështja e katërt që e ngadalëson vetë procedurën në Kuvend për ta rrëzuar një Qeveri që nuk e ka shumicën, porse mbijeton sipas tekeve të shefave të partive politike, është edhe çështja e liberalizimit që aq shumë u tjerr, u premtua dhe u propagandua si një arritje e madhe për vendin. Pasi që u plotësua kushti i demarkacionit, tash duhet dhënë dëshmi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit po funksionon dhe po jep fryte.

Vetëm në dy ditët e fundit u dëgjua se Prokuroria e Shtetit kishte ngritur aktakuzë në rastin e Emin Beqirit, që, sipas aktakuzës, kishte qëllim t’i shpëtonte udhëheqësit e një OJQ-je mashtruese nga burgu, në këmbim të shpërblimit me para. Në rastin e privatizimit të hidrocentraleve, kur u shit Distribucioni, ajo nxori aktvendim për nisjen e hetimeve, edhe pse ndenji dy vjet mbi atë dosje. Kurse Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka nisur procedurë hetimore kundër tri kompanive importuese të barnave me dyshimin se ka pasur kurdisje tenderësh për blerje citostatikësh nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për gazetën, ky është lajm i jashtëzakonshëm për aq sa të tri procedurat po nisin pasi për to të jetë shkruar gjerë e gjatë me shumë prova e argumente për shkeljet që janë bërë. Është lajm për shkak se pas vitesh publikime shkrimesh të kësaj natyre, është hera e parë pas një kohe shumë të gjatë që institucionet e ndjekjes bile kanë nisur procedura. Nuk do të jetë kurrfarë lajmi i jashtëzakonshëm që këto raste të mbyllen pa asnjë rezultat, asnjë ndëshkim apo asnjë konfiskim pasurie, ngase përshtypja është se këto po bëhen tash vetëm sa për t’i treguar Evropës se kinse vërtet jemi duke e luftuar krimin.

Frenimi i ndjekjes

Pra, tash gjendemi në situatën kur e kemi një Qeveri me pesë ministra që kanë aktakuza apo janë nën hetime nën dyshimin e kryerjes së veprave të ndryshme penale. Lluka për konflikt interesi, Lekaj për shpërdorimin e detyrës zyrtare; Beqaj për Pronto dhe për hidrocentralet; Hamza dhe zëvendëskryeministri Gashi për hidrocentralet. Pra, një e katërta e Kabinetit qeveritar ka punë të pazgjidhura me drejtësinë, me gjithë gjasat e vogla që këto procedura të përfundojnë me verdikte të plotfuqishme. Sepse po ta kishte pasur Prokuroria seriozisht, këto raste ishin zgjidhur moti, shumë para se të emëroheshin në postet e larta publike.

Meqë po shihet se nuk e kanë as intencën që të japin dorëheqje, Haradinaj do të duhej të vepronte vetë — pa paragjykuar fajësinë e tyre, këta njerëz nuk mund të udhëheqin dikasteret e caktuara për shkak se mbi ta peshon dyshimi i keqpërdorimeve të llojllojshme.

Por, gjasat që edhe Haradinaj të veprojë janë, e besoj, minimale. Për shkak se vetë kompozicioni i kësaj Qeverie dhe badihavxhinjtë zëvendësministra kanë qenë çmimi që ka paguar për t’u bërë me postin e të parit në ekzekutiv. Dhe për t’ia dobësuar aftësinë e udhëheqjes — që po shihet nga fakti që dje s’mundi ta mbante as mbledhjen e Qeverisë.

Por kurrgjë s’është ky problem sa i madh duket problemi i krijuar në Kuvend me themelimin e Komisionit Hetimor për verifikimin e shpenzimeve për lobimin që i kanë bërë kryetari dhe qeveritë e shkuara. Dhe natyrisht, mungesa e kuorumit nuk e mundësoi krijimin e këtij komisioni, që PDK-ja e quajti përzierje në kompetencat e Prokurorisë. Shefi i GP të PDK-së tha se Kuvendi nuk duhet të merret me hetime vend e pavend, meqë pushtetet janë të ndara, duke e anashkaluar faktin se është pikërisht puna e Kuvendit që të bëjë kontrollin edhe të shpenzimit të parasë publike.

Duke refuzuar t’i japë emrat e anëtarëve të këtij komisioni nga radha e partisë së tij, nuk e la pa e thënë se PDK-ja krenohej me faktin se Thaçi kishte qenë kryetar i partisë së tyre dhe se krenoheshin me faktin se ai ishte tash kryetar shteti. Pra, askush nuk i ndal ata që të ndihen krenarë me çfarëdo, por kjo nuk e garanton amnistinë nga hetimi që duhet bërë për të kuptuar se nga na humbën gjithë ata milionë eurosh për lobimin që nuk sjell asnjë rezultat.

Nëse kjo parti krenohet me të dhe nëse janë të sigurt se Thaçi nuk ka bërë keqpërdorime me paranë publike, nuk kanë pse t’i frikësohen punës së komisionit hetimor. Nuk kanë pse të frikësohen se do ta bëjnë punën e Prokurorisë — le ta shohin pak se si është ta bësh punën e gazetarit: që i zbulon të gjitha dhe ia lehtëson prokurorisë punën aq sa të shpëtojë nga hetimet e të shkojë direkt në aktakuzë.

Lufta e Thaçit

Ndërkohë që çështja, e cila e mban aktualitetin qe dy javë e fiu, është puna e platformës së bisedimeve të mëtutjeshme me Serbinë. Dje Komisioni për punë të jashtme nuk e votoi përmbajtjen. I rekomandoi Kryesisë së Kuvendit që dokumenti i përgatitur nga Qeveria, që nuk mbeti pa u kritikuar, të shkojë në Kuvend dhe të shërbejë si bazë për ndërtimin e një platforme konsensuale.

E problemi me propozimin e papërkrahur është kush do t’i udhëheqë negociatat, pos shumë temave të tjera që nuk janë përfshirë në këtë dokument e që duhet të jenë aty.

Në Express intervistën e KTV-së, Vjosa Osmani i sqaroi qartë dhe thjesht pikat në vijim që duhet marrë patjetër parasysh: e para, se platforma në formën në të cilën është mundëson arritjen e marrëveshjeve që mbase mund t’ia siguronin Kosovës një ulëse në OKB, porse që do të mundë ta lënë të gjymtuar si një shtet jofunksional. Kjo ngase u referohet kufijve të jashtëm të Kosovës, që mundëson arritjen e marrëveshjeve jokushtetuese që do të mundë t’i imponoheshin Kuvendit; e dyta, pozicioni kushtetues i institucionit të kryetarit të shtetit nuk i jep atij të drejtë për të marrë pozicione karshi vendeve të tjera, e as të negociojë me vendet e tjera. Kryetari vetëm ka të drejtë ta përfaqësojë e ta mbrojë një qëndrim që ndërtohet nga Qeveria dhe Parlamenti; e treta, se Kuvendi e ka autorizuar Qeverinë, si trupin e vetëm ekzekutiv, që të përfshihet në dialog për shkak se Kuvendi ka mekanizma mbikëqyrës ndaj punës së Qeverisë dhe për shkak se Qeveria i ka mekanizmat e zbatimit të vendimeve të këtilla. Në këtë kontekst, meqë kryetari nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes parlamentare dhe nuk i ka mekanizmat e zbatimit, krijohet një problem shumë serioz.

E ky problem serioz e ka emrin Hashim Thaçi, dhe fakti se ky është politikani më i shantazhueshëm që ka Kosova aktualisht. Pra, një njeri, i cili po t’i jepej autorizimi që të negociojë, nuk i nënshtrohet asnjë përgjegjësie në Kuvend; mund të sjellë marrëveshje që nuk përkojnë me kërkesat e Kuvendit dhe t’i imponojë me anë të presionit të BE-së si marrëveshje të obligueshme ndërkombëtare që duhet të ratifikohen. Për aftësitë e tij negociatore tashmë jemi bindur — nuk e ka as idenë më të vogël se me çka po merret, as çka po bën, për shkak se në fund ai që e udhëheq nuk është interesi i Kosovës, por interesi i tij personal.

Rreziku më i madh për Kosovën në këtë çast është që dikush si protagonisti kryesor i raportit Marty të vihet në krye të procesit negociator dhe që atje diku i mbyllur të pranojë të nënshkruajë çfarëdo dhe sido, vetëm që ta shpëtojë veten. Për më tepër, që edhe t’i lajë duart, siç bën përherë, duke ua lënë kilën të tjerëve. Në negociatat përfundimtare, meqë po i quajnë të tilla, duhet dikush që nuk e ka asnjë hipotekë politike; dikush që ka dije, e që së paku di të lexojë dokumente ligjore e ta kuptojë të drejtën ndërkombëtare, e që primare e ka interesin e Kosovës e jo punët private.

Se a do të ketë sukses Kuvendi t’ia çimentojë këtë përgjegjësi Haradinajt, mbetet të shihet. Porse duhet pasur parasysh se pikërisht ky vendim mund të jetë shtytës për rrëzimin e kësaj Qeverie dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Sepse Thaçi nuk mund ta paramendojë veten kurrë në plan të dytë, e sidomos përderisa ende mbi qafen e tij rri varur shpata e Speciales, e cila sërish u bë me kryeprokuror — pra teknikisht edhe pa arsye që ta shtyjë mosveprimin deri në pafund.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme