Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka folur për gjendjen e të aksidentuarve në Kroaci.
Sveçla ka thënë se gjendja e disa pacientëve është më e mirë se që është parashikuar në fillim.
“Shumica prej të lënduarve janë në gjendje të mirë. Edhe pacientja që është në spitalin e Zagrebit është në gjendje më të mirë dhe ajo që në fillim është dyshuar për thyerje të boshtit kurrizor nuk ka rezultuar e saktë”, tha ai në “Debat Plus”.
Sveçla thotë se sot është realizuar autopsia për pesë viktima të kësaj tragjedie, derisa sipas tij nesër pritet të realizohet autopsia e pesë personave tjerë.
Ai thotë se ekziston mundësia që nesër të kthehen në Kosovë trupat e personave që kanë humbur jetën në fatkeqësi.
“Jemi duku punuar që të angazhojmë një aeroplan për të kthyer bashkatdhetarët që kanë shpëtuar pa lëndime pasi shumica prej tyre duan të vijnë në Kosovë. Unë kam takuar të gjithë dhe shumica prej tyre dëshirojnë të vijnë në Kosovë. Një pjesë e vogël kanë shprehur vullnetin për t’u kthyer në Gjermani edhe falë bashkëpunimit me Ambasadën Gjermane në Kroaci. 13 bashkëkombës tonë kanë nënshtetësi gjermane, derisa njëri prej tyre tashmë ka humbur jetën”, tha ndër të tjera Xhelal Sveçla./Telegrafi/