Vdekja e 48-vjeçares në ambientet e bashkisë Lushnje, është e mbuluar me hije misteri. Bashkia dhe policia fshehën ngjarjen ndërsa reaguan për përgënjeshtrim, vetëm pasi media e denoncoi publikisht se Shpresa Cani humbi jetën në bashki. Eriselda Sefa mohon debatin me të ndjerën, por faktet rrëzojnë pretendimin e kryebashkiakes
Kryebashkiakja e Lushnjes, Eriselda Sefa, zgjodhi sulmin ndaj medias, për të justifikuar ngjarjen e rëndë që ka ndodhur brenda institucionit që ajo drejton.
Por ndërsa përpiqej të justifikonte vdekjen e 48-vjeçares së refuzuar në zyrat e bashkisë, kryebashkiakja Sefa ngriti edhe më shumë dyshime mbi rrethanat e vërtetësinë e të dhënave.
Sefa hedh poshtë se në zyrat e bashkisë ka pasur debat, madje tregoi se Shpresa Cani është pritur prej saj në zyrë për t’i ofruar zgjidhje të problemit. Por edhe nëse është e vërtetë, anashkalohet fakti se cili ishte debati i zhvilluar në zyrën e drejtoreshës së ndihmës ekonomike, që më pas duhej zgjidhur në zyrën e krybashkiakes, pasi në një procedurë të zakonshme, siç Sefa përpiqet ta sjellë, e ndjera mund të kishte mbaruar punë me paraqitjen e saj në sportelin e bashkisë.
Edhe reagimi i mëtejshëm ngre sërish pikëpyetje mbi sjelljen e bashkisë së Lushnjes karshi Shpresa Canit teksa po ndërronte jetë. Eriselda Sefa thekson se ka njoftuar ambulancën dhe shefin e komisariatit, Edvin Ndreu për këtë ngjarje. E nëse do të kishim një vdekje për shkaqe natyrale, siç policia e serviri një ditë më pas, pse një zyrtareje të lartë do i shkonte mendja për të thirrur aty shefin e komisariatit, kur në çdo rrethanë të tillë procedura e parë për t’i dhënë ndihmën është thirrja e ambulancës dhe më pas, roli i policisë është thjesht procedural. Kontaktimi i drejtpërdrejtë me shefin e komisariatit, siç vetë Sefa deklaron, shton edhe më shumë pikëpyetjet.
Për të gjitha këto paqartësi, Syri Televizion ka tentuar disa herë të kontaktojë me kryebashkiaken Eriselda Sefa, por ajo ka refuzuar të përgjigjet.
Duket se lëvizjet e kryebashkiakes Sefa për këtë ngjarje kanë dhënë rezultat. Edhe Policia e Shtetit e raportoi ngjarjen si bashkia, 24 orë me vonesë, e pasi mediat kishin nisur denoncimin dhe fshehjen e vdekjes. Si në ngjarje të ngjashme, policia nxitoi të përcaktonte shkakun, si vdekje natyrale, por pa dhënë rrethanat e saj. E në nxitim të rrëzimit të akuzës se nuk raportoi ngjarjen në kohë, policia as moshën e të ndjerës nuk e jep të saktë. Teksa viktima ishte 48 vjeç, Policia e Shtetit e deklaron si 60 vjeç.
Të gjitha këto ngrenë pikëpyetje në lidhje me rrethanat e vërteta të ngjarjes, pasi fshehja e lajmit nga institucionet, reagimet me vonesë dhe të dhënat e pasakta, tregojnë dyshime të forta mbi atë që ka ndodhur në të vërtetë. Këtë gjë e përforcon edhe fakti se Prokuroria e Lushnjës nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve tanë, nëse ka nisur procedim penal për ngjarjen dhe nëse ka sekuestruar kamerat e sigurisë në bashkinë e Lushnjes.
Janë pikërisht kamerat e sigurisë që do të zbardhin të vërtetën, e organi i akuzës nuk do të mjaftohet vetëm me pulën e zezë që Eriselda Sefa theri në ambientet e bashkisë pas ngjarjes, si bestytni për të larguar syrin e keq dhe problemet në këtë bashki, që duket se po e ndjekin muaj pas muaji.
© SYRI.net