Tahiri: Dialog në dy nivele

Vetëm njohja reciproke mes dy shteteve garanton paqe afatgjatë. Kështu thotë ish-negociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri. Ajo vlerëson se dialogu duhet zhvilluar në dy nivele dhe të përfundojë fazën finale në njohje bilaterale.

“Tash e tutje, ky dialog, duhet të shkojë në dy nivele, në nivelin e parë është të zbatohen marrëveshjet e mbetura nga shteti serb si dhe, Kosova, t’i kryej obligimet e veta, dhe në njërën anë të përfundojë faza finale, e cila duhet të përfundojë në njohje reciproke mes dy shteteve, sepse, vetëm kështu mund të arrihet një paqe afatgjate edhe një fqinjësi e mirë”, thotë Edita Tahiri për “Gazeta Blic”.

Sa i përket dialogut të deritashëm, ajo konsideron se ka prodhuar mjaft rezultate, por edhe e pranon se ka pasur mungesë të zbatimit të disa marrëveshjeve të arritura.

“Dialogu, në këto 7 vite, deri në vitin 2017, ka shkuar shumë mirë, në kuptimin e realizimit të detyrave të shtetit tonë, sepse, në saje të marrëveshjeve që kemi arritur, të cilat janë gjithsej 33. Ne kemi arritur ta integrojmë pjesën veriore të Kosovës në sistemin juridiko-kushtetues të Kosovës, duke marrë parasysh që kemi bërë vendosjen e institucioneve shtetërore në fusha relevante, siç janë; policia, dogana, drejtësia. Kemi vendosur kufirin mes dy shteteve në pikat kufitare Jarinjë-Bernjak, të cilat kanë qenë të djegura nga Serbia pas lufte”, theksoi Tahiri.

Ajo tregoi se Kosova, përmes këtij dialogu, ka arritur që t’i vendos autoritetet kosovare në veri dhe t’i kontrollojë doganat. Po ashtu, Tahiri, tha se, përpara dialogut me Serbinë, ka pasur struktura paralele, ndërsa, tash ,ato janë shuar.

“Ne kemi arritur që t’i kthejmë dhe t’i vendosim autoritetet e Kosovës dhe t’i kontrollojmë ato pika doganore, si dhe kanë filluar pagesat e taksave nga ana e kompanive eksportuese edhe importuese, të cilat nuk kanë qenë përpara këtij dialogu. Ne kemi pasur struktura paralele të Serbisë, struktura policore, doganore dhe tashmë të gjitha këto janë shuar”, shtoi Tahiri.

Tahiri, përmendi edhe faktin se, falë dialogut, komunat serbe kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale, gjë kjo që nuk kishte ndodhur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Kemi arritur që komunat serbe të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, komuna këto që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje që nga shpallja e pavarësisë”, potencoi ajo.

Ajo tha se, Kosova, ka shënuar edhe disa përparime tjera. Njëra ndër to ishte dhe zhbërja e një structure, e ashtuquajtur, mbrojtje civile, e cila ka funksionuar në Veri.

“Natyrisht kemi edhe përparime tjera, kemi zhbërë strukturën e ashtuquajtur mbrojtje civile, e cila ka funksionuar si një strukturë paramilitare, e shumë përparime tjera”, sqaroi Tahiri për “Gazeta Blic”.

Por, pavarësisht këtyre të arriturave, ish-negociatorja tregoi se kanë mbetur edhe disa marrëveshje të pazbatuara, e të cilat nuk po zbatohen, kryesisht, nga shteti serb.

“Mirëpo kanë mbetur edhe një pjesë e marrëveshjeve të pazbatuara, kryesisht janë të pazbatuara nga shteti serb, ato janë marrëveshja për energji, marrëveshja për diploma, marrëveshja për kadastra, pastaj ura, e cila është rivitalizuar nga BE, mirëpo, nuk është hapur dhe është bllokuar nga Serbia”.

Gjithashtu, shteti Kosovar, ka pasur obligim që të zbatojë marrëveshjen e Asociacionit. Tahiri bëri më dije se ky proces duhet të ndodhë në të njëjtën kohë kur të zhbëhen edhe disa struktura paralele të mbetura në veri.

“Edhe Kosova ka pas obligim zbatimin e marrëveshjes për Asociacion dhe tashmë ka filluar ky proces, mirëpo ky proces duhet të shkojë në të njejtën kohë edhe të zhbëhen strukturat e mbetura paralele në Veri”, pohoi ajo.

Dialogu Kosovë – Serbi, i cili konsiderohet se ka hyrë në fazën finale, pritet të përfundojë më së largu në vitin 2019./GazetaBlic./

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme