Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka treguar se çfarë do të bisedohet në takimin e radhësh në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës e Serbisë, që pritet të zhvillohet me një shkurt.
Tahiri ka thënë se pos temave siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, këtë herë do të diskutohet thellësisht edhe për përmbylljen e dialogut që do pasonte me njohje të Kosovës nga Serbia.
“Fokusi për fazën përmbyllëse të dialogut do jetë një temë e rëndësishme në takimin e radhës në nivelin e lartë politikë, për të përmbyllur këtë proces me njohjen reciproke mes dy shteteve”, ka thënë Tahiri për Klan Kosovën.
“Në këtë kontekst, vlerësoj edhe angazhimet e Qeverisë amerikane, ku administrate e re e shtetit rikonfirmoi përkrahjen për Kosovën, sidomos deklarata e sekretarit të mbrojtjes amerikane Mattis ishte shumë e qartë për Kosovën dhe për dialogun e Brukselit”.
Tahiri ka thënë, po ashtu se pret “që ky takim të kontribuoj për zbatimin e marrëveshjeve të pazbatuara dhe se palët të zotohen për zbatimin efektiv dhe pa vonesë të marrëveshjeve që janë në pritje të zbatimit, sidomos marrëveshja për energjinë, drejtësinë dhe asociacionin”.
Ndërsa përkundër pakënaqësive të shprehura shpesh nga opozita dhe kërkesat e vazhdueshme për ndërprerje dialogu ministrja ka pohuar se është “shumë me rëndësi që po vazhdon dialogu i nivelit politik në Bruksel”.
“Kjo tregon angazhimin maksimal të BE-së dhe Përfaqësueses së lartë, Federica Mogherini, për të rritur rezultatet e dialogut për fqinjësi dhe paqe mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe për të tejkaluar tensionet dhe provokimet e njëpasnjëshme të kohëve të fundit të bëra nga Serbia”.
E pyetur nga Klani për çështjen e murit dhe se kur do të ndodhë heqja e tij, ajo ka thënë “institucionet me të larta shtetërore po punojnë intensivisht” në këtë drejtim.