Gjykata e krimeve të rënda ka marrë vendim për të bllokuar të gjitha mjetet e identifikimit të ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili tashmë lëvizjen jashtë shtetit duhet ta bëjë vetëm me autorizim nga kjo gjykatë.
Gazeta Express ka arritur që të sigurojë vendimi e plotë të dhënë nga gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa duket se organi i akuzës nuk ka çuar asnjë provë të re në lidhje me dy akuzat për të cilat ish ministri i Brendshëm, Tahiri është në hetim, atë të korrupsionit pasiv dhe trafikimi i narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminale.
Edhe vetë avokati i Tahirit, Maksim Haxhia konfirmoi për mediat se akuzat janë të vjetra.
Nuk ka asnjë fakt të ri që gjykata duhet të iniciohet dhe aq me tepër që gjykata të merret masa siç është ajo ndalimit të daljes jashtë shtetit”, tha Haxhia.
Por ajo që mbetet në pikëpyetje është fakti se vetë kjo gjykatë nuk i ka marrë në konsideratë përgjimet e dorëzuara si provë nga organi i akuzës, pasi nuk janë të faktuara dhe paraqiten ende si dyshime që personi nën hetim mund të jetë pjesë e grupeve të struktura kriminale që kanë bërë trafikun e lëndëve narkotike.
Në vendim thuhet konkretisht se “në ndryshim nga prokurori, gjykata nuk i vlerëson të dhënat e përftuara nga përgjimet ambientale me fuqi të plotë provuese. Këto të dhëna përftohen nga një mjet për kërkimin e provës dhe ato do të vlerësoheshin në fuqi të plotë provuese nëse ndërmjet tyre do të arrijnë te rezultati që në rastin konkret do të ishte përfitimi i padrejtë i marrë nga personi në hetim”.
Teksa vendimi nuk është i bazuar në këto prova, të cilat ende nuk janë faktuar, gjykata është bazuar thjesht në akuza dhe dyshime të organit të akuzës.
“Pavarësisht se veprat penale për kryerjen e të cilave dyshohet peroni nën hetim paraqesin rrezikshmëri të lartë, për gjykatën rrezikshmëria e autorit të dyshuar nuk paraqitet në këtë nivel për vetë personalitetin e ti dhe faktin e qenies deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Niveli i dyshimit i mbështetur kryesisht në të dhënat e përgjimeve ambintale dhe prania e kushtit të vetëm të lidhur me rrezikun e largimit, përligjin për gjykatën vendosjen e masës së sigurimit personal të ndalimit të daljes jashtë shteti kërkuar nga prokurori.”, -thuhet në vendimin e gjykatës, siguruar nga Gazeta Express.
Ndërkohë që avokati i Tahirit foli edhe për çështjen “Tahiri-Sota”, ku sipas tij, SMS-të e pretenduara nga Prokuroria mes Sotës dhe bashkëshortes së Tahirit nuk tregojnë asgjë.
“Media duhet të jetë e kujdesshme pasi po lë njerëz në burg si në rastin e Orest Sotës, kërkesa e prokurorisë dhe vendimi gjykatës për Tahirin e bazuar në disa pasazhe që media tashmë i ka zbardh por të cilët s’tregojnë asgjë dhe s’janë provë”, tha Haxhia.