Në intervistë me Sefer Tahirin, profesor universitar në lëminë e gazetarisë dhe komunikimeve publike dhe ekspert për edukim mediatik, biseduam për dezinformatat që kanë qarkulluar kohëve të fundit në media dhe mënyrën se si publiku t’i njohë ato.
Poligraf: Cilat kanë qenë dezinformatat e fundit, ato më aktuale le të themi, që kanë qarkulluar në media?
Tahiri: Marrëdhëniet ndëretnike dhe stabiliteti i vendit, pastaj marrëdhëniet politike, do me thënë raportet pushtet-opozitë, dhe sensacionalizmi mediatik ku bëjnë pjesë tragjeditë, fatkeqësitë e shumta, luftërat – këto që i përmenda, e kështu me radhë, janë një lloj mozaiku i dezinformimit të madh që po ndodh në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Poligraf: Po themi që kemi një dozë të madhe të dezinformimit, po cila do të ishte mënyra e duhur që qytetarët t’i detektojnë këto dezinformata?
Tahiri: Konsideroj se qytetarët, para se gjithash, duhet të bëjnë përpjekje që të bëjnë ndarjen e mediave profesionale dhe mediave joprofesionale. Jo gjithë herë duhet t’u besojnë mediave, sepse ne kemi pasur edhe para periudhës apo epokës së dezinformimit manipulime të shumta, propagandë në media e kështu me radhë, por jo në këtë masë dhe jo në këto formatet në të cilat shfaqen, herë në mediat onlajn por edhe në mediat tradicionale.
Mendoj që qytetarët, para se gjithash, nuk duhet t’u besojnë mediave që nuk kanë adresë. Vetë fakti që një media nuk e deklaron identitetin e saj dhe gazetarët, cilët do qofshin ata – mund të jenë edhe profesional, por në të shumtën e rasteve janë persona të cilët nuk kanë lidhje me gazetarinë dhe nuk e deklarojnë, pra nuk e shpërfaqin identitetin e tyre, emrin, mbiemrin, kush janë ata. Këtyre mediave nuk duhet besuar. Përkatësisht, nuk duhet besuar mediave që nuk kanë impressum, pra nuk e deklarojnë pronësinë, nuk e deklarojnë faktin se kush janë themeluesit e këtyre mediave, nuk e deklarojnë adresën, nuk e deklarojnë udhëheqjen apo menaxhimin e këtyre mediave. Flas në aspektin editorial, pra, kush janë – kryeredaktori, redaktorët dhe gazetarët. Këtyre mediave nuk duhet besuar.
Dhe, ajo që është e rëndësishme dhe që e vërejmë edhe në rrjetet sociale: nuk duhet shpërndarë çdo gjë që e shohim dhe mund të na duket sensacionale, flas për titujt “e pabesueshme”, “habitshme”, “skandaloze”, “ndodh edhe kjo”, “ndodh për herë të parë”, “lajm bombastik”, “lajm nuklear” e kështu me radhë.
Intervistoi: Era Gjakova