Nuk kishte si të mungonte me urimin e tij për ditën e pavarësisë, njeriu më “ i kërkuar” momentalisht nga media shqiptare, Saimir Tahiri.
Që nga dita që u shfaq në një emision “rozë” të Sokol Ballës duke tentuar së bashku të krijonin për shqiptarët portretin e një familjari të mirë, që po i bien më qafë kot, ish ministri i Brendshëm u zhduk për tu rishfaqur si një shtetar dhe patriot i madh.
Shumë gjëra rrodhën pas daljes së fundit si “çun i mirë”, prandaj edhe mediat e kanë shpallur në kërkim.
Ndërkohë që të gjithë presin, që të thotë ndonjë fjalë apo qoftë edhe të ngrejë alibi mohuese për akuzën që i bën prokuroria se 860 mijë eurot e kapura së bashku me dy patenta skafisti në emër të tij në makinën e Orest Sotës (por edhe për vizitën misterioze në Gjermani), ish ministri i Brendshëm shfaqet papritur dhe i thotë popullit shqiptar: Gëzuar Shqipërinë!
Kjo ka qenë edhe arsyeja, që shumë komentues janë nervozuar dhe kanë reaguar ashpër në faqen e tij në Facebook.
“Sajmir. Si gjen rastin me uru atdhetaret per festat e flamurin e nuk gjete asnjeher rastin per tfol per leket qe ju gjeten Orest Sotes ne makine?”, e pyet njëri prej tyre.
Por përgjigje nuk ka as për Redon Ukën që e pyet, dhe as për gjithë opinionin publik.
Të tjerë i tregojnë se ai me atë që ka bërë me drogën në Shqipëri, jo vetëm nuk ka fytyrë të urojë pavarësinë e Shqipërisë, por është tradhtar që u ka marrë nderin shqiptarëve.
“S’mund ta gezoj me tradhetare neper kembe me vjen keq!Ju na vodhet nderin,cfare na keni lene me per te gezuar?!…
Nuk ka ditë që nuk po kapen tonelata droge në brigjet Italiane e Greke na e zëvendësove Shqiponjën me gjethen nuk ke moral të gëzosh ti o AA003GB o rastësia e rastësis na bëre turpin e botës”, janë disa nga komentet më pikante nën postimin e Tahirit.