Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri e cilëson si provokim të rëndë dhe të përmasave dramatike tentimin për futjen e trenit serb në Kosovë gjatë ditës së djeshme.
Në një prononcim për Indeksonline ajo thotë se gjatë ditës së djeshme Serbia mori përgjigjen e duhur nga instancat më të larta të shtetit, se Kosova është shtet i pavarur.
“Ky ka qenë një provokim i rëndë i përmasave dramatike që Serbia e ka bërë për ta destabilizuar Kosovën dhe Institucionet tona i dhanë përgjigjen e duhur, pra e mbrojtën sovranitetin dhe integritetin territoriali të shtetit tonë. Pra, e mori përgjigjen e duhur se Kosova është shtet i pavarur, prandaj Serbia duhet të përmbahet”, ka thënë Tahiri.
Megjithëse kjo është një çështje shtetërore dhe se hekurudhat nuk janë pjesë e dialogut Kosovë- Serbi, Tahiri gjatë ditës së djeshme i ka dërguar letër Brukselit për ta njoftuar për këtë provokim të Serbisë.
Sipas saj, edhe pse kjo nuk është nën kompetencë të saj, ajo i ka shkruar Brukselit për shkak se ai është ndërmjetësues i procesit të dialogut për paqe dhe fqinjësi të mirë mes dy shteteve./Indeksonline/