Të paktën dy herë kryeministri Haradinaj, ka pritur në zyrën e tij Fatlum Abazin, nipin e Enver Sekiraqës. Abazi, dyshohet se është arrestuar nga Policia e Kosovës të mërkurën, së bashku me vëllain e Enver Sekiraqës, Naserin.
Policia e Kosovës pos vëllait të Enver Sekiraqës, Naserin ka arrestuar edhe nipin e Enver Sekiraçës, Fatlum Abazin, si i dyshuar për plagosjen e dy personave të martën në Prishtinë.
I dyshuari, Fatlum Abazi është njeri prej njerëzve të dyshuar si pjesë e grupit të Enver Sekiraqës, shkruan Insajderi.
Ndërkohë, ai është shfaqur i afërm me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.
Insajderi ka siguruar fotografi të Fatlum Abazit, me kryeministrin e vendit. Fotografitë dëshmojnë se Haradinaj, e ka pritur në zyrën e tij në AAK.
Haradinaj, ka pasur takime tjera me Abazin i shoqëruar nga Dalip Brahimi, kryetar i AAK-së në Vranjevc. Brahimi është i akuzuar në një rast për pastrim parash me toka në Çagllavicë, përfshirë Mehmet Prishtinën, shoferin e Azem Sylës, Arton Vilën dhe biznesmenë të lidhur me PDK-në, siç është Bejtush Zhugolli. Mes të akuzuarve është edhe djali i ish-kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, Albioni.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur me anë të një komunikatë se të martën rreth orës 17:00, Policia ka marrë informacionin për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë.
Policia ka bërë të ditur inicialet e të dyshove për vrasje të rëndë në tentativë.
Gazeta Express ka raportuar se njëri nga të arrestuarit është vëllai i Enver Sekiraqës, Naser Sekiraqa.
Policia ka njoftuar se më të dalë vendin e ngjarjes ka zbuluar se rasti ka të bëjë me një vrasje të rëndë në tentativë, ku nga arma e zjarrit kanë pësuar lëndime dy persona: Z.J, mashkull , 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe N.U, mashkull , 44 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
“Si rezultat i kësaj, rreth orës 23:00, policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë dy persona të dyshuar”, ka thënë Policia.