Takimet e Spiropalit sot në Shkup – Nga takimi me Gashin bënë thirrje për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit

Gazetar: Suad Bajrami

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali gjatë vizitës zyrtare në Shkup porositi që të zbatohet plotësisht Ligji për Gjuhët, i cili po kontestohet pranë Gjykatës Kushtetuese. Spiropali, në konferencën e përbashkët për media me kreun e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, theksoi se gjuha shqipe për shqiptarët është e shenjtë dhe ka të bëjë me thelbin e identitetit.

“Cenimi i saj në çdo formë, padyshim dhemb shumë dhe cenon pikërisht këtë identitet që ne e afrojmë në këtë botë të madhe, në rajon e përtej, si vlerën tonë. Njohim dhe mirëkuptojmë plotësisht shqetësimin e faktorit shqiptar për mundësinë e ndryshimeve të mundshme, varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje po sipas frymës që dikton Marrëveshja Kuadër e Ohrit”, tha Elisa Spiropali, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Gashi tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në rrafshin ndërkombëtar kanë qëllime dhe interesa të njëjta dhe për këtë duhet të ketë bashkëpunim të ndërsjellë në të gjitha fushat.

“Gjithashtu ne konstatuam se në periudhën e ardhshme Ballkanin e presin edhe sfida të tjera, të cilat kërkojnë prej nesh më shumë bashkëpunimin, mbështetje dhe ndihmën më të madhe të ndërsjellë, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë në prosperitet dhe mirëqenie”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Spiropali, gjatë vizitës së sotme u takua edhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ishte i shoqëruar nga Talat Xhaferi. Në takim, siç njofton Ahmeti, është biseduar për çështjen e legjitimitetit,

“Zonjës Spiropali i kam shprehur shqetësimet e mia në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike brenda Maqedonisë së Veriut si dhe shkeljen e legjitmitetit që buron nga vullneti i popullit i shprehur në mënyrë demokratike përmes votës së lirë. Gjithashtu, kemi biseduar për nevojën për Veting me mbikëqyrje ndërkombëtare, duke ndarë edhe përvojat konkrete me Shqipërinë në këtë sferë mjaft të rëndësishme”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, takoi edhe kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe. Kjo është vizita e parë e Spiropalit në Shkup, pasi më 31 korrik e mori detyrën e kryetares së Kuvendit./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme