Gazetar: Lluka Andreev
– Advertisements –
Takimi i presidentit Stevo Pendarovski me përfaqësuesit e shoqatave maqedonase në Bullgari tronditi unitetin e udhëheqjes shtetërore në Sofje. Pas kritikave të presidentit Rumen Radev drejtuar kryeministrit Kiril Petkov se është ngutur me vizitën në Shkup, Petkov është përgjigjur se përkundrazi vizita ishte e vonuar, duke shtuar se politika e jashtme krijohet në Qeveri. Nga partnerët e koalicionit Petkov mori mbështetje publike vetëm nga kryetari i “Bullgarisë Demokratike”, Hristo Ivanov.
“Duhet t’i mbështesim përpjekjet e kryeministrit Petkov për të dhënë një shtysë në frymë pozitive. Në këtë këndvështrim më duket se është e panevojshme të kritikohet kryeministri në këtë mënyrë”, deklaroi Hristo Ivanov – Kryetar i BD-së.
Mirëpo, nga ana tjetër, Ivanov tha se ka bazë procedura e liderit të socialistëve, Kornelia Ninova, e cila si zëvendëskryeministre për ekonomi ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e grupit punues në Shkup, për shkak të takimit të Pendarovskit me përfaqësuesit OMO-Ilinden.
Analistët politikë bullgarë besojnë se tema për Maqedoninë do të krijojë ende probleme në koalicionin qeverisës, por edhe në marrëdhëniet me presidentin.
“Maqedonia…kam frikë se është konflikti i parë dhe kjo temë do të vazhdojë të krijojë pikëpamje të ndryshme ndërmjet Radevit dhe Petkovit. Kam frikë se do të ketë mundësi që gjërat të mos zhvillohen në drejtimin e duhur”, deklaroi Sllavi Vasilev- analist politik.
Nga ana tjetër, presidenti bullgar Radev, duke ndarë shqetësimet për lëshime të mundshme nga pala bullgare, dje tha se ai dhe homologu i tij maqedonas do të kërkojnë moment të përshtatshëm për takim, i cili do të varet nga veprimet e Pendarovskit. Sipas Radev, Pendarovski është takuar me separatistët.
“Nuk ka ndryshime në njoftimet për vizitën e presidentit Pendarovski në Sofje. Lidhur me deklaratën e presidentit Radev, për takim me organizatat, tashmë ka pasur njoftim nga kabineti dhe koment nga presidenti Pendarovski se takimi nuk është në kundërshtim me marrëveshjen dypalëshe për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, të vitit 2017 ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, njoftojnë nga Kabineti i presidentit Pendarovski.
Paraprakisht, Pendarovski theksoi se deri në fund të shkurtit do ta vizitojë Bullgarinë, me qëllim që edhe presidentët e të dy vendeve të japin kontributet pozitiv në bisedimet Shkup-Sofje./Alsat.mk