Gazetare: Fatlume Dervishi
Liderët e partive të koalicionit VLEN, të mbledhur në një tryezë të përbashkët për situatën e krijuar në prag të seancës së Gjykatës Kushtetuese, thonë se BDI-ja po tenton të manipulojë opinionin me skenarë të kopjuar nga Nikolla Gruevski. Në një prononcim për media, pa hapësirë për pyetje të gazetarëve, koalicioni bëri thirrje për qetësi.
“Shqiptarët le të rrinë të qetë. Gjuha shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për t’u paraqitur në mënyrë të rreme si shpëtimtarë të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë. Ata morën karton të verdhë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, tani është koha për kartonin e kuq. Kjo parti së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali. Së dyti, e dërguan ligjin në Komisionin e Venecias, i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe. Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë, përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish-funksionarët e tyre të korruptuar. Dhe tani, me tenda duan të paraqiten si shpëtimtarë të gjuhës shqipee”, tha Saranda Imeri Stafai, deputete.
Sipas VLEN, gjuhën nuk mund ta mbrojnë të korruptuarit.
“Korrupsioni mbi 20-vjeçar ka faturën e vet! Ai të zhvesh nga çdo ndjenjë përgjegjësie dhe të bën të papërshtatshëm për mbrojtjen e vlerave kombëtare. Prandaj, nuk mundet një i korruptuar të mbrojë diçka aq të rëndësishme sa është gjuha shqipe. Nuk mundet një parti që ka individë në lista të zeza ndërkombëtare të pretendojë se mbron kauzën shqiptare! Njëra me tjetrën nuk shkon!”, shtoi Saranda Imeri Stafai, deputete .
I bindur që më 11 dhjetor nuk do të ndodhë asgjë në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku do të diskutohet për nismat mbi ligjin për përdorimin e gjuhëve, është edhe kryeministri Hristijan Mickoski./Alsat.mk