Prej kohësh ka kritika të shumta ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për deklaratat e tij ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Kosovës.
Kryeministri Edi Rama e ka quajtur “ta pabesueshëm” faktin që Kosova nuk merr pjesë në “Open Balkan” por bën teori konspiracioni për të.
Këtë deklaratë Rama e bëri teksa ishte në konferencë të përbashkët për media me kancelaren Angela Merkel.
Ndërsa, në fjalimin e tij në Parlamentin e Shqipërisë, Rama tha se ata që mendojnë ndryshe, nuk mund të quhen konspiracionistë, në këtë rast duke iu referuar Kurtit lidhur me “Ballkanin e Hapur”.
Por, pse i ndryshoi qëndrimet Edi Rama apo a i ndryshoi vërtetë ato?
“Kosova të mos e sakrifikojë pavarësinë e saj”
Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar Rama është me shpresë se do të ketë mbështetje nga Gjermania, mirëpo, kur Merkel deklaroi se frymën evropiane të Berlinit, nuk mund ta zëvendësojnë idetë tjera, Rama nga deklaratat e tij në Kuvend, sikur u pendua, kështu duke thënë pastaj se nuk mund t’i shpallim konspiracionistë ata që mendojnë ndryshe.
“Edvin Kristaq Rama, i cili ka vite që njihet për qëndrimet e tij pro-serbe dhe anti-Kosovë, me shpresën se do të gjejë edhe mbështetjen gjermane, pa fije turpi dhe tejet i nervozuar edhe para kancelares Angela Merkelit, tha se kinse deklaratat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili fare pa ekuivokë dhe në mënyrë plotësisht transparente të ashtuquajturin “Ballkan i hapur” e quan ngrehinën fiktive serbomadhe, janë “teori konspirative”. Mirëpo, pas vërtetimit edhe nga ana e kancelares gjermane zonjës Angla Merkel, se marrëveshjen e frymës evropiane të Berlinit, nuk mund ta zëvendësojë asnjë ide mini-rajonale, si i ashtuquajturi “Ballkan i hapur” me të cilën Serbia tenton ta ngulfat Kosovën dhe bëjë të paqenë pavarësinë dhe shtetësinë e sajë, Edvin Kristaq Rama në fjalën e mbajtur në Kuvend, sikur u pendua dhe i lëpiu serish ato që i pështyu vet, duke ndryshuar qëndrimin 100 %, dhe deklaruar vetëm dy ditë më vonë, se ne nuk mund t’i shpallim konspiracionistë ata që mendojnë ndryshe, që në fakt aludonte në kryeministrin Kurti! Për aq më tepër duke qenë se as vet kancelarja gjermane Angela Merkel, në takimin e 14 shtatorit në Tiranë, nuk ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, që Kosova të bëhet pjesë e nismës fiktive serbomadhe “Ballkani i Hapur”, kryeministri Kurti me të drejtë ka deklaruar, se vendi ynë, nuk ka asnjë arsye të bëhet pjesë e nismës për mini-Jugosllavinë e Aleksandër Vuçiqit të ashtuquajtur “Ballkani i Hapur”, ka potencuar ai.
Sipas Qarrit, Kosova nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë të bëhet monedhë kusuri për Ramën, madje nuk mund ta sakrifikojë as pavarësinë e saj, si dhe nuk do të lejojë që të trajtohet si krahinë e një shteti siç është Serbia.
“Dhe kjo për vet faktin se Kosova, tash e mbi 22 vite është vend i çliruar me luftë nga okupimi i Serbisë hegjemoniste, si dhe për më tepër se 13 vite edhe shtet i pavarur e sovran, i njohur nga më se 120 vende anë e mbanë botës, kështu që Kosova nuk mund të lejojë në asnjë mënyrë që të bëhet monedhë kusuri për Edvin Kristaq Ramën dhe çfarëdo bashkëpunimi që mund të ndodhë në rajon. Ai duhet të bëhet vetëm në pozita të shteteve të pavarura dhe me të drejta të barabarta, si dhe gjithmonë në përputhje me interesat e shtetit të Kosovës. Kosova nuk mund ta sakrifikojë pavarësinë e saj, as për “hatër” të Edvin Kristaq Ramës, si dhe kurrë nuk do të lejojë, që ajo të trajtohet si “krahinë” e një shteti hegjemonist e kriminal si Serbia, e cila edhe mbi 22 vite pas lufte, vazhdon t’i mohojë krimet e luftës dhe gjenocidin që vet e ka kryer mbi shqiptarët e pambrojtur në Kosovë”, ka thënë Qarri.
Analisti ka theksuar se Vuçiqi që nga mbarimi i luftës, mban peng mbi 1630 trupa të shqiptarëve të vrarë, gjë e gjithë kjo ka miratimin edhe të Ramës, sikur ai të mos ishte edhe vet shqiptar.
Madje, ai ka shtuar se deklarata e tashme e Ramës, në kundërshtim me vetveten, është vetëm një taktikë për të fituar kohë, deri t’i koordinojë planet e reja së bashku me Vuçiqin.
“Aleksandër Vuçiqi, ish ministri i informatave të Millosheviqit, gjatë okupimit të Kosovës nga Serbia, edhe 22 vite pas mbarimit të luftës, mban peng mbi 1630 trupa të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, madje për të arritur kulmin e kjo tirani ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës, për të gjitha këto Vuçiq dhe Serbia, ka edhe miratimin e plotë të Edvin Kristaq Ramës, sikur ai të mos ishte edhe vet shqiptar dhe kryeministër i vendit amë-Shqipërisë. Për aq më tepër, qëndrimet e tij anti-Kosovë dhe sjelljet skizofrenike e inatçore, për shkeljen e teorive pro-serbe të Edvin Kristaq Ramës nga Kosova, deri më tani vazhdimisht ka dalë kundër rezervave të Kosovës për “Ballkanin e hapur”, ndërsa pas hedhjes poshtë të ngrehinës fiktive serbomadhe si “Ballkani i hapur” edhe nga kancelarja Merkel, ai tani del me deklarata në kundërshtim të plotë me vetveten duke lëpirë edhe ato që pështyn vetëm para dy-tre ditësh në prezencën e kancelares gjermane Merkel, gjë që besoj se është vetëm një taktikë për të fituar kohë, derisa t’i koordinojë planet e reja me kriminelin Aleksandër Vuçiq, për minimet e radhës kundër shtetit të pavarur e sovran të Kosovës”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.
“Rama është vetë në konspiracion”
Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka potencuar se as Kurti dhe as qytetarët e Kosovës nuk besojnë në këtë projekt, e cila është vetëm një marrëveshje.
Sipas tij, për Ramën më me rëndësi është BE e jo iniciativa private, ndërsa sipas Burjanit, “Open Ballkan”, dhe normat e tjera janë ëndrra serbe, sepse gjithmonë kanë tentuar të bëjnë aleanca në historitë e tyre.
“Rama thotë se Kosova e interpreton këtë në mënyrë konsiprative, në Kosovë dyshohet se Rama është vetë në konspiracion, pra jo vetëm Kurti por të gjithë kosovarët nuk besojnë në këtë projekt të paqenë që është thjeshtë një marrëveshje pa krye dhe pa trup dhe përmendsh e bërë. Katër lirit themelore janë në CEFTA, çka po i duhet Ramës ta imitojë CEFTËNm “Open Ballkan” për të është më shumë se sa CEFTA apo ndoshta edhe procesi i Berlinit. Për të është me rëndësi BE e jo iniciativa private e disa liderëve të shteteve. Open Ballkan, Ballkani dhe normat tjera janë ëndrra serbe, serbët gjithmonë kanë tentuar në historinë e tyre të bëjnë aleanca dhe shtete me të tjerët në Ballkan për tu fuqizuar në Evropë, asgjë në këtë temë nuk është rastësi. Serbia më shumë fiton prej tipeve të ballkanisë, njëherë se sa prej BE, por ia bën edhe një nder Rusisë Ballkanin e lenë të përçarë dhe të pa aftë për tu integruar në BE”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.