Festivali i dramës “Talia e Flakës 2024”, në natën e tretë konkurruese, ka sjellur shfaqjen e teatrit të Preshevës “Grafitet”, me regjisor, Naser Shatrolli.
Bazuar në tekstin e autorit Mehmet Kraja, të shndërruar e vënë në skenë me kujdes nga Trupa Teatrale e Preshevës, para publikut është shpërfaqur konflikti dramatik në mes të rezistencës paqësore, rezistencës së armatosur dhe kolaboracionistëve të regjimit jugosllav, të periudhës së fundit të viteve 90-të, si dhe me përplasje të vazhdueshme para dhe gjatë luftës në Kosovë.
“Autori përshkruan gjendjen reale përmes personazheve të tij në një pallat në kryeqytet, ndërsa vë në spikamë fatet komike e tragjike të pasojave të luftës, në periudhën e menjëhershme të pasluftës në Kosovë, saktësisht në kryeqytet – Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Shfaqja është produkt teatror bashkëkohor, i sendërtuar mbi logun e shenjave, figurave, simboleve dhe imazheve, të cilat përcaktojnë stilin, zhanrin, frymën dhe idenë brenda një norme të kuruar estetike.
Sipas njoftimit, në shfaqje ka spikatur loja e aktorëve, Valon Nuhiu, Gjelbërim Emini, Gani Veseli e Artan Ibishi, sikurse edhe stili i regjisorit Shatrolli dhe stafit përcjellës, me asistente në regji, Afeida Boriqi, skenografi të Flutura Dedinjes dhe muzikë të përzgjedhur nga Skënder Halimi.
Festivali i Dramës “Talia e Flakës”, vijon konkurrencën garuese me prezantimin e shfaqjes “Hana po fluturon”, prodhim i teatrit “Adriana” nga Ferizaji, për t’u pasuar me dy prezantime të më pastajme nga Prishtina: Shfaqjet “Arbri”, prodhim i teatrit “Oda” dhe “Club Albania”, e realizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës.