Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një fjalim të mbajtur para strukturave të partisë në Gostivar, ka shpalosur arsyet e largimit nga qeveria dhe ka akuzuar hapur partnerin qeveritar VMRO-DPMNE për mashtrim dhe mosrealizim të marrëveshjes politike.
“Para një viti e disa muajsh, ne vendosëm të sjellim ndryshimin – së paku kështu thamë,” deklaroi Taravari, duke përmendur se Aleanca e nisi rrugëtimin nga komunat si Gostivari dhe Tetova, për ta shtrirë më pas në të gjitha vendbanimet shqiptare. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të 8 majit – me 107 mijë vota – ishte dëshmi se qytetarët i besuan premtimeve të kësaj force politike.
Taravari rikujtoi se bashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në bazohej në katër pika: Eurointegrimi, Decentralizimi fiskal, Lufta kundër korrupsionit dhe Zhvillimi ekonomik.
Por, siç theksoi ai, “sot jemi më keq se një vit më parë.” Eurointegrimi është bllokuar, Kushtetuta nuk është ndryshuar dhe negociatat me BE-në nuk janë hapur. Përkundrazi, tha ai, “jo vetëm që nuk ecëm përpara, por u kthyem prapa.”
Po ashtu, lideri i ASH-së denoncoi projektligjin për pushtetin lokal si “më centralizues se më parë”, duke sqaruar se komunat kanë sot më pak kompetenca. “Ne nuk do ta votojmë këtë ligj,” u zotua ai.
Në lidhje me luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Taravari tha se përveç “rastit të Kocanit”, nuk ka asnjë zhvillim domethënës, ndërsa në planin ekonomik, akuzoi qeverinë për diskriminim ndaj shqiptarëve.
“Shteti mori një kredi prej 250 milionë euro nga Hungaria për ndihmë të kompanive private. U përkrahën 200 kompani – asnjëra në pronësi shqiptare. Zero!” tha ai me theks.
Në këtë kontekst, Taravari u shpreh se Aleanca për Shqiptarët ka vendosur të tërhiqet nga qeveria jo për shkak të ndonjë pozite të humbur, por për shkak të mungesës së rezultateve dhe për të ruajtur besimin e qytetarëve.
“Dhe në këtë situatë, duhej të vazhdonim të qëndronim në qeveri? Jo. Ne vendosëm që të dalim në opozitë. Kjo është hera e parë që një parti shqiptare del vetë nga qeveria për arsye parimore. Na ka ndodhur edhe në vitin 2017 si Aleancë, por atëherë sepse na hoqën Ministrinë e Shëndetësisë. Tani nuk është çështje poste. Na ofruan edhe drejtori, por ne thamë jo. Kthehemi te populli, sepse ajo që premtuam, nuk po e realizojmë. Na ofruan drejtori, por thamë jo. Kthehemi te populli, sepse ajo që premtuam, nuk po e realizojmë,” tha Taravari.
Ky veprim, sipas tij, është një precedent historik në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pasi është hera e parë që një parti shqiptare largohet nga pushteti për arsye parimore dhe jo për interesa personale.