Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, dënon shkarkimet politike në institucionet shëndetësore të udhëhequra nga VLEN. Sipas ASH-së, në Shtëpinë e Shëndetit në Kërçovë, drejtori i ri Valon Sadiku, me urdhër të ministrit Azir Aliu dhe drejtuesve të VLEN-it, ka larguar nga puna tetë shqiptarë për shkak të bindjeve të tyre politike.

Këto veprime, të cilat ASH i konsideron të papranueshme dhe hakmarrje politike, tregojnë fytyrën reale të subjektit që në emër të “ndryshimit” po instalon përjashtimin si praktikë pune. Për më tepër, VLEN nuk po sjell punësime të reja për shqiptarët, por largon edhe ata që janë aktualisht të punësuar.

Tetë të shkarkuarit kërkojnë rikthimin e menjëhershëm në vendet e punës dhe janë të vendosur të ndjekin rrugët ligjore dhe demokratike, përfshirë edhe protesta publike nëse kjo padrejtësi nuk korrigjohet.

ASH i bën thirrje institucioneve të drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile që të reagojnë ndaj këtij abuzimi të qartë me pushtetin.