Taravari i mbështetur për muri / Mickoski e ka vënë para dy zgjidhjeve, ose me BDI-në ose me Qeverinë

Gazetar: Suad Bajrami

Arben Taravari është “mbështetur për muri”. Në mbledhjen e sotme me kryeministrin Hristijan Mickoski duhet t’i përgjigjet pyetjes, hija e së cilës e ka ndjekur gjatë gjithë kësaj periudhe, përkatësisht a është e vërtetë se ka marrëveshje me BDI-në për të mbështetur njëra-tjetrën në zgjedhjet lokale apo jo? Përgjigja, do ta përcakton fatin politik të Taravarit pasi kryeministri Mickoski ia preu – ose me BDI-në ose me Qeverinë.

Mbetet të shihet epilogu nëse kryeministri do të arrijë, atë që s’mundi ta arrijë VLEN-i, që në fakt ishte arsyeja kryesore që ndau Taravarin nga koalicioni.

Në kalkulimet e matematikat për zgjedhjet lokale, Taravari deri më tani nuk e ka përjashtuar BDI-në si opsion bashkëpunimi. Kontaktet me Ahmetin fillimisht i quajti si “kanale komunikimi”, duke “njollosur” se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte të tilla, por kjo u përgënjeshtrua nga Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Zeqirja Ibrahimi. Liderët e VLEN-it disa herë paralajmëruan Taravarin që të ndërpret bisedimet me BDI-në, por Taravari i shpërfilli thirrjet e tilla.

Në vazhdimësi ka mohuar bashkëpunimin me Ahmetin, por në fund e pranoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike në ditët kur Aleanca për Shqiptarët duhej të vendoste për formatin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Grupet negociatore mes ASH-së dhe VLEN-it, përbërjen e të cilës Taravari e ndërroi disa herë nuk arritën që të gjejnë zgjidhje. Vendimi i Kryesisë së ASH-s pas çka liderët e VLEN vendosën të ndërmarrin hapa konkret drejt fusionimit të partive në një subjekt të vetëm.

Për linjat e komunikimit të Taravarit foli edhe bashkëpunëtori i tij i dikurshëm Ziadin Sela, me të cilin për ironi, e ndanë Aleancën për Shqiptarët në dysh pikërisht pse Sela vendosi të bashkëpunojë me BDI-në në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas tij, Taravari jo që ka biseduar në telefon me Ahmetin, por madje ka realizuar edhe 2-3 takime, për të cilat Ahmeti personalisht e ka informuar si partner që e ka në Frontin Evropian.

Kjo, në fakt do të jetë edhe tema e bisedës së sotme me Mickoskin, për çka Taravari deklaroi se do të sqarohen disa çështje që kryeministri i ka të paqarta. Pas daljes nga VLEN, Taravari ka promovuar sloganin e ri “Aleanca e para, aleatë kudo me shqiptarët, kudo të parët”. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme