Gazetar: Suad Bajrami
Arben Taravari nuk e ka ndarë mendjen nëse do të garojë në zgjedhjet lokale të tetorit vetëm apo me koalicionin VLEN. Në vend të përgjigjes së prerë e cila periudhën e kaluar ka shkaktuar debat dhe amulli në skenën politike, Kuvendi Qendror i partisë me të cilën udhëheqë Taravari kërkon ende kohë. Kryesia Qendrore e partisë do të vazhdojë bisedimet me VLEN-in, ndërsa paralelisht do të mbahen edhe takime me degët e partisë për të dëgjuar se çfarë mendojnë ata.
Me qasjen e këtillë nuk pajtohet përfaqësuesi i Vetëvendosjes në VLEN Bekim Qoku. Sipas tij, në koalicion nuk ka vend për dilema nëse do të dilet me listat e ndara apo të bashkuara. Ai madje është i prerë se garimi në zgjedhje jashtë koalicionit VLEN i shërben BDI-së dhe Ali Ahmetit, ndërsa për diçka të tillë, nuk do të japin mbështetje.
“Në historinë e fundit, ne kemi arritur të shohim qartë se partitë që kanë pretenduar të dalin vetë, në fakt ujin e kanë çuar gjithmonë në mullirin e Ali Ahmetit… Si elementi i Vetëvendosjes! në këtë koalicion, me të vetmin rol të ngjitjes dhe përbashkimit, pra pa asnjë interes në ekzekutiv dhe pa asnjë anim ndaj ndonjërës nga katër partnerët, dhe duke ruajtur dhe kultivuar vetëm frymën e unifikimit, nuk do të mbështesim asnjë subjekt që do të garojë jashtë këtij koalicioni”,, deklaroi Bekim Qoku, VLEN.
Mbase edhe përfaqësuesit tjerë të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, Bilall Kasami e Zeqirija Ibrahimi kanë shprehur publikisht qëndrimin se në zgjedhjet lokale VLEN duhet të garojë bashkë, përballë BDI-së me Frontin Evropian. Qoku dje njoftoi se ka ka propozuar një ofertë që Taravari të mbetet në koalicion, ndërsa tre liderët e tjerë kanë dhënë pëlqim.
Oferta parasheh që 35% e kandidatëve për kryetar komunash nga radhët e VLEN-it t’i takojnë ASH-së. Taravarit i është ofruar të nxjerrë kandidat në Gostivar, Strugë dhe Vrapçisht. Të zgjedh një kandidat mes komunave Likovë, Haraçinë dhe Studeniçan. Si dhe gjithashtu, një kandidat mes Bërvenicës dhe Çashkës.
Duke iu referuar ofertës së krerëve të VLEN, Taravari tha që, ata kanë përgatitur ofertë, megjithatë edhe ASH-ja do të përgatisë ofertat e saja që do t’i ofrojë si opsione përfundimtare.
“Ne nuk e dimë ato si i kanë ndarë mes vete, na intereson edhe si është ndarja. Na intereson çfarë merr Besa, ku është Alternativa, ku është LD-ja, kjo është shumë e rëndësishme për ne. Gjithashtu edhe ne do të kemi dy ofertat tona. Unë mendoj se negociatat patjetër të vazhdohen dhe ta japim maksimumin deri në fund po që se mund të arrihet marrëveshje e përbashkët për të dalë në zgjedhje si VLEN”, tha Arben Taravari, ASH.
Taravari, tani për tani ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me BDI-në. Jozyrtarisht, BDI-ja ia ofron Komunën e Strugës, në të cilën si kandidat i mundshëm përflitet Garip Kaba. Opsioni, në kombinatorikat politike llogaritet që të nxjerrë nga loja kryesimin eventual të Selës me Strugën. /Alsat.mk