LSDM-ja ka vota shqiptare më shumë se LR-PDSH-ja dhe ata kanë përgjegjësi më shumë për tu kujdesur për gjuhën shqipe. Kështu ka thënë Ministri i Shëndetësisë nga radhët e LR PDSH-së Arben Taravari, duke shtuar se brenda partive që janë pjesë e Qeverisë nuk ka kushtëzime dhe se nuk ka asnjë pikë kontestuese sa i takon ligjit të gjuhës shqipe.
E vetmja gjë për të cilën debatohet, shtoi Taravari, është mënyra se si do të kalohet ky ligj. Të kalohet në Qeveri dhe paralelisht të dërgohet në Komisionin e Venecias, apo të kalohet fillimisht në Qeveri përpara se të dërgohet në Komisionin e Venedikut. Sipas LR-PDSH-së, opsioni i parë është më i mirë. Ndërkaq qëndrimet e kësaj partie, sipas Taravarit nuk ndryshojnë, ligji do të kalojë deri në 100 ditëshin e parë të punës së Qeverisë.
“Nuk kemi kushtëzime, kjo Qeveri është Qeveri shumë e rëndësishme për vendin, kjo Qeveri do të reflektojë pak më ndryshe, mosmarrëveshje brenda Qeverisë nuk ka, të jemi të sinqertë. Kështuqë pse të folim për kushtëzime, sepse çdoherë vijmë ne si LR PDSH sikur e kapim për fyti Qeverinë. Qeveria duhet të funksionojë dhe do jemi aty si mbështetës dhe gjërat që jemi marrë vesh, sa ka përgjegjësi LR-PDSH-ja, aq ka BDI-ja, aq poashtu ka edhe LSDM-ja. Mos harrojmë se LSDM-ja ka vota shqiptare më shumë se LR-PDSH-ja. Ata kanë përgjegjësi më shumë se ne për gjuhën shqipe, sikur që e kemi thënë ne, ashtu e ka thënë edhe ajo, gjithashtu edhe BDI-ja.”, deklaroi Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.
Ministri Taravari foli gjithashtu edhe për ndryshimet kadrovike që po vijojnë në seancat qeveritare. Ai shpjegoi se sot pritet të bëhen gjashtë deri në 8 emërime të reja, dhe se njëjtë do të vazhdohet edhe ditëve në vazhdim.
“Sot do të kemi sigurisht rreth 6 deri në 8 emërime kadrovike, nesër do të kemi edhe të tjera. Sot kur të kthehem do të ulemi dhe do të vendosim. Nuk mund të them shifër të saktë, megjithatë nga ekipi ynë për informim do t’ju japim emrat edhe të 6 deri në 8 drejtorë. Do të jenë disa klinika dhe disa spitale në periferi. Në klinika për shembull do të emërojmë transfuziologji…”, shtoi ai.
Gjithashtu, Taravari nuk e përjashtoi mundësinë që disa prej drejtorëve të emëruar nga Qeveria e kaluar të mbeten nëpër postet që i mbajnë aktualisht./SHENJA