Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar se koalicioni VLEN është i pamundur të unifikohet si subjekt i vetëm, duke theksuar se grupet brenda tij kanë interesa të ndryshme dhe tensione të vazhdueshme.
Sipas Taravarit, vetëm lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mund të arrijë t’i bëj bashkë.
Ai shtoi se edhe formësimi i koalicionit VLEN është mbështetur fillimisht nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
“Albin Kurti, në fillim ka qenë sponsori për t’u formësuar VLEN dhe për t’iu bashkangjitur VLEN-it. Ky është fakt i pamohueshëm. Albin Kurti ka raporte të mira. Punën e Albin Kurtit më shumë e shoh si inercion – cilin e përkrah Edi Rama – AKI, Kurti del e përkrahë – VLEN-in. Në qoftë se nesër Edi Rama shkon e përkrah VLEN-in, ju garantoj se Albin Kurti do të kalojë dhe do ta përkrahë AKI-në”, deklari Taravari.
Sa i përket mbështetjes së mundshme të Kurtit për liderin e VLEN-it, mes Bilall Kasamit dhe Izet Mexhitit, Taravari tha se nuk ka informacion. Megjithatë, ai theksoi se koalicioni është i brishtë.
“Për këtë nuk e di. Por, është mision i pamundshëm këto të bëhen një parti. Por, koha do ta tregojë. Kjo është si e parashohë unë. Në momentin që Mickoskit nuk do t’i duhet VLEN-i, për pesë minuta nuk ekziston VLEN”, tha ai.



