Rreth 50 biznese të ndërtimtarisë nga Kosova kanë vendosur që ta bojkotojnë “Rrugën e Kombit” pas tarifave për kalimin e Autostradës të vendosura nga Qeveria shqiptare.
Këto biznese thonë që vetëm material ndërtimor importojnë nga Shqipëria, rreth 35 milionë euro në vit dhe rrugën e kombit e kalojnë në vit rreth 21 mijë vetura. Pas vendosjes së taksës, ku për makineri të rënda është 46 euro vajtje-ardhje, kompanitë në vit detyrohen të paguajnë rreth 1 milionë euro më shumë.
Këtë vendim, këta e quajnë si plaçkë nga Qeveria Shqiptarë, ku ankesa kanë edhe për skanerin e vendosur për importuesit që përdorin si transit portin e Durrësit, për të cilin thonë që paguajnë 23 euro, pa e përdorur fare.
Jetmir Bytyqi, përfaqësues i këtyre bizneseve, i tha Klan Kosovës, se kjo është një “plaçkë” e vendosur nga shteti shqiptarë, për të cilin thanë që kanë tentuar t’ia paraqesin ankesat e shqetësimet e tyre, por që nuk u morën parasysh deri tash.
Bytyqi shton se pas këtij bojkoti, do të detyrohen që biznesin e tyre ta orientojnë nga vendet që ky i cilësoi si të “padëshirueshme”, siç janë Serbia dhe Maqedonia.
Ai shprehet i bindur se bojkotin do ta mbajnë dhe nuk do të heccin dorë nga vendimi i tyre, deri në zbritjen e taksës rrugore, për të cilën thotë që nuk janë kundër saj, mirëpo çmimi është tepër i lartë.
Ai thotë se po të përshkruhet rruga nga Serbia apo Maqedonia, nuk paguhen më shumë se 10 cent për një kilometër rrugë, kurse për 1 kilometër të përshkruar në “Rrugën e Kombit” duhet të paguhen mbi 0.38 cent.
“Të gjitha këto pengesa dhe tarifa, qojnë në humbje të perspektivës dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të tregtisë në këto hapësira shqiptare”.
Ata njëherit kërkojnë nga qeveria shqiptare që t’i marrë parasysh këto kërkesa, pasi sipas tyre qe 10 vite kur u ndërtua kjo autostradë, vetëm me këto produkte që tani do ti bojkotojnë, shuma që Shqipëria përfitoi ishte rreth 350 milionë euro.
Ndërtimtarët kanë paralajmëruar edhe protesta në Kosovë e Shqipëri 24 orë para hyrjes në fuqi të taksës rrugore, njofton Klan Kosova.
Këto janë tarifat sipas kategorive dhe çmimet:
Klasa 1/ Motorët – 2.5 Euro
Klasa 2/ Veturat – 5 Euro
Klasa 3/ Autobus & kamionçina – 11.2 Euro
Klasa 4/ Kamion i mesëm – 16.2 Euro
Klasa 5/ Kamion i rëndë – 22.5 Euro.