Tashti ndaleni vetveten!

Opinion nga : Arben RUGOVA

Ai tren, domosdo duhej të ndalej në kufi! Nuk ka nevojë për kurrfarë euforie as ekzaltimi fëmijëror!

Vendimi për të mos lejuar futjen e trenit nga Serbia, të shkarravitur me parulla nacionaliste, si dhe dërgimi i njësitit ROSU për të mbrojtur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës – është obligim, përgjegjësi zinxhirore e hallkave të shtetit.

Vetëlëvdatat e disa liderëve (unë dhash urdhër); euforia e servilëve të tyre nëpër rrjetet sociale (të lumtë); patriotizmi me duar-shqiponjë i disa policëve të njësitit ROSU (i panevojshëm, nëse fotoja nuk është montazh); fotografia e kabinetit qeveritar në momentin e “ndaljes” së trenit serb-rus (imitim i keq i kabinetit të presidentit amerikan kur u krye vrasja e kryeterroristit Osama Bin Laden); por edhe ekzaltimi i RTK-së (Bravo Policia) – shpërfaqin edhe më shumë papjekurinë e shtetit të Kosovës.

Nuk është kohë lufte për të shitur moral. Nuk ka arsye të lavdërohen asnjë prej këtyre liderëve, për punën që është dashur ta përfundonin vite më parë. As Policia, që kreu një detyrë, e cila me ndërhyrje të politikës ka anashkaluar shumë të tjera deri tash. Është herët të ndjehet serioziteti i këtyre institucioneve, tepër herët t’ju besohet atyre që vranë shpresën e shumë qytetarëve gjatë këtyre 17-18 vjetëve. Është koha për punë, ndryshe papjekuria politike mund t’ju kthehet bumerang siç ka ndodhur shpeshherë deri sot!

Fqinjët tanë, serbët, e mbajnë gënjeshtrën për pasuri kombëtare! Politikën e kanë fort të poshtër. Me gënjeshtra mbulojnë mjerimin e shtetit të tyre. Por, kur është puna te paraja, një pjesë e klasës sonë politike është po aq e pamoralshme sa edhe ajo e fqinjëve tanë! Përpiqet ta mbulojë turpin e vet me heshtje ose llafe patriotike edhe në momentet kur politika e Serbisë i kanoset me luftë Kosovës.

Në vitet ‘80-‘90 të shekullit të kaluar, në televizionin shtetëror serb, RTS, pothuajse të gjitha lajmet nga Kosova mbuloheshin me pamje të një xhamie e një burri me plis, i hipur mbi gomar, që kalonte aty pranë. Çdo paragraf fillonte e mbaronte me fjalët “terroristët” apo “fundamentalistët” shqiptarë. Politika serbe inskenonte dhe kryente edhe krime të rënda ndaj serbëve të Kosovës (“Rasti Panda”). E bënin për t’ua mbështetur krimet shqiptarëve dhe për të “arsyetuar” më pas masakrat ndaj tyre.

Edhe sot, trillimet se “shqiptarët mund të vrasin serbët” rrezikojnë paqen e brishtë në Ballkan! Politika serbe është ajo e djeshmja, që kreu gjenocid ndaj shqiptarëve për më shumë se një shekull. Aktorët janë të njëjtë. Daçiqët, vuçiqët, nikolliqët, sheshelët, po përpiqen të inskenojnë rreziqe që mund t’iu vijnë serbëve prej shqiptarëve. Pasardhësit e politikës së Sllobodan Millosheviqit, trillojnë, japin para, janë të gatshëm të vrasin përsëri serbë kosovarë, vetëm që t’i përlyejnë shqiptarët me krime, urrejtje ndëretnike, ekstremizmin islamik dhe terrorizmin, që të paktën ta ndajnë Kosovën.

Prandaj, liderët institucionalë të Kosovës, në vend të euforisë është mirë të ndryshojnë qeverisjen! Kjo do të ndryshonte edhe qasjen e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën, një mekanizëm që për të mos prishë qetësinë e brishtë me Rusinë, flirton me një shtet antiperëndimor siç është Serbia.

Kërkesa e fundit, që Kosova dhe Serbia përmes komunikimit të zgjedhin rastin e arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë, me fletarrest të lëshuar në Beograd, tregon më së miri dyfytyrësinë e Bashkimit Evropian. Një pjesë e këtij mekanizmi kurrë nuk ka dashur ta dijë të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa, pjesa tjetër, shtetet mike brenda këtij unioni, ka një kohë që kanë zgjedhur të heshtin, ngase janë zhgënjyer me dhjetëra herë që prej vitit 1999, nga Kosova, Shqipëria, shqiptarët!

Një pjesë e mirë e politikanëve të Kosovës kanë vjedhur paranë publike, por assesi nuk e pranojnë se korrupsioni ka zvogëluar mbështetjen e aleatëve, ka shtuar papunësinë, ka pjellë varfëri, migrim ilegal dhe ekstremizëm fetar (duke e gozhduar Kosovën në udhëkryq, ditën me Perëndimin, natën me Lindjen). Me dhjetëra zyrtarë, ish zyrtarë, biznesmenë, mjekë, profesorë, do të duhej të ishin në burg për korrupsion e krim të organizuar, por nuk janë! Sepse, drejtësia është kapur prej tyre, derisa shumë prokurorë e gjyqtarët janë të korruptueshëm, servilë, pa guxim, lepuj me kostume burrash.

“Këtu janë të gjithë (politikanët) hajdutë dhe unë vetë nuk e kuptoj sesi mund të japin konsensus për një punë që do t’i fusë në burg”, kishte thënë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili i raportonte Sekretarit të Shtetit, John Kerry, për zhvillimet në Shqipëri, në veçanti rreth përpjekjeve të tij që të imponojë reformimin e drejtësisë shqiptare (Kabllogrami i WikiLeaks). Prej dashamirësisë për Shqipërinë e zemërimit me politikanët e saj, Lu herë pas here në fjalimet e tij kishte përdorur ironi të tepruar, duke krahasuar shqiptarët me një tufë delesh të rrethuar nga hijenat (politikanët).

Edhe në Kosovë, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, javë më parë sugjeroi miqësisht të largohen kriminelët nga institucionet. Prandaj, sot është koha që shqiptarët, sidomos liderët kosovarë të mos shtireni sikur korrupsioni dhe krimi i organizuar është vetëm perceptim, derisa të gjithë të tjerët, qytetarët, aleatët, diplomatët e vendeve mike dhe organizata të shumta ndërkombëtare, e shohin si burim të çdo të keqe tjetër në Kosovë (e Shqipëri)! Është koha të arrestohen të paktën ata 30-50 zyrtarë, ish zyrtarë dhe biznesmenë të Kosovës, për të cilët Prokuroria ka prova të bollshme se janë të korruptuar dhe të përfshirë në krim të organizuar.

Sot, në botën e internetit, manipulimi dhe propaganda nuk mbijetojnë gjatë. Nëse liderët e duan Kosovën, besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, të aleatëve, është koha të pushojnë së shtiruri sikur po punojnë. Nuk është aspak e rëndësishme kush prej liderëve ishte më i zëshëm të ndalet ai tren, apo kush prej tyre do të jetë më i zëshëm në rrëzimin e atij muri në Mitrovicë! Dihet kush vendos kur kemi të bëjmë me Serbinë! Shtetet mike, Shtete e Bashkuara! Andaj, në vend të euforisë së pavend, liderët kosovarë duhet t’ju tregojnë qytetarëve, miqve dhe armiqve, sidomos politikës së Serbisë, se institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura njëmend të ndërtojnë shtet të së drejtës, janë për fqinjësi të mirë, dhe se tash e tutje as treni as korrupsioni nuk mund të kalojnë!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme