Gazetar: Adnan Qaili
Ligji për Tatimin Solidar mbetet të trajtohet pas vitit të ri në Gjykatën Kushtetuese. Kryetarja e kësaj gjykate, Dobrilla Kacarska tha se nuk pritet që deri në fund të dhjetorit të procedohet nisma për kushtetutshmërinë e këtij ligji. Akoma nuk është formuar lëndë në Gjykatën Kushtetuese në bazë të nismave të Odës Ekonomike dhe disa kompanive të tjera, për të shfuqizuar ligjin që mbledh tatimin solidar. Kacarska tha se në këtë rast janë dy mundësi! Nëse ligji shfuqizohet kjo procedurë nënkupton që ligji nuk do të vazhdojë të vlej në të ardhmen, por gjithçka që është paguar deri në ditën e vendimit nuk kthehet. Kurse mundësia tjetër është që Ligji për Tatim Solidar nëse anulohet plotësisht shteti do të jetë i detyruar t’ua kthej paratë të gjitha kompanive, të cilat kanë paguar deri në ditën e vendimit tatimin e solidaritetit.
“Deri më sot nuk kam parë referatin, por duke pasur parasysh se akoma arrijnë nisma të tilla, me të vërtetë nuk jam optimiste që deri në fund të vitit mund ta zgjidhim këtë lëndë. Ata duhet ta paguajnë taksë, përderisa Gjykata Kushtetuese vendos ndryshe, atëherë do të diskutojmë se cilët janë hapat e radhës për firmat. Gjatë zbatimit të procedurës është shumë me rëndësi nëse Gjykata Kushtetuese do ta shfuqizonte ligjin apo do ta anulojë plotësisht, kështu që ka dallim. Nuk do të mund t’ju them që tani çfarë do të ndodhte derisa Gjykata Kushtetuese nuk merr vendim final”, deklaroi Dobrilla Kacarska, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq nga Drejtoria e të Ardhurave Publike thonë se nëse tatimi solidar nuk paguhet deri këtë të premte më 24 nëntor, kompanive të ngarkuara do tu bllokohen xhirollogaritë bankare. Drejtoresha Sanja Llukarevska tha se shuma më e lartë e paguar nga vetëm një kompani ishte 4,2 milion euro tatim solidar, kurse shuma më e ulët e paguar e të njëjtit deri më tani është vetëm 640 euro nga një kompani e vogël.
“Meqë afati ka qenë deri më 25 tetor, për të gjithë ata që nuk kanë paguar taksën e solidaritetit, do të marrim masa në përputhje me Ligjin për procedurën tatimore. Pra sipas kalendarit tonë më 6 nëntor do t’i dorëzojmë paralajmërimet dhe nëse pagesa sërish nuk kryhet, më 24 nëntor ne do të fillojmë bllokimin e llogarive të tyre bankare. Gjithsej, rreth 98 obligues tatimorë kanë kryer pagesën, mbeten edhe 52 tjera kompani. Sipas Ligjit për procedurë tatimore nuk mund ti publikojmë emrat e borxhlinjve që ende nuk e kanë paguar tatimin e solidaritetit, por ka edhe ndërmarrje publike që akoma nuk kanë shlyer borxhin”, tha Sanja Llukarevska, Drejtoresh e DAP-it.
Tatimi solidar nuk është paguar në afatin ligjor nga 1/3 e kompanive që janë obligues tatimor, për të cilët në fillim të nëntorit pati Vërejtje. Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike thonë se deri më tani janë paguar rreth 36 milion euro, nga 98 tatimpagues kurse mbeten edhe 52 kompani tjera të paguajnë tatimin solidar të obliguar me ligj. Nga parashikimet e mbledhjes totale të 90 milion eurove del se tatimin deri më tani e kanë paguar kompanitë e vogla dhe të mesme, kurse gjigandët që përfituan në kohën e krizës akoma shqyrtojnë prolongimin deri në pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Por, një gjë është e sigurt, që cilido qoftë vendimi i kushtetueses, subjektet nuk do të kenë mundësi ligjore ankimimi. /Alsat.mk