Gazetar: Suad Bajrami
Të burgosurit, të sëmurët dhe të moshuarit në shtëpi kujdesi votuan sot, një ditë para ditës zyrtare të zgjedhjeve. Ekipi i Alsat ndoqi votimin i cili u realizua në burgun më të madh të vendit, në Idrizovë. 1120 votues patën të drejtën e votës në këtë shtëpi ndëshkuese korrektuese.
Drejtori i Burgut të Idrizovës, Zoran Jovanovski konfirmoi se kutitë e votimit ishin hapur në kohë dhe votimi u zhvillua pa probleme.
“Gjendja sipas numrave në burg është 1281, prej të cilëve 1.120 kanë të drejtë vote. Materiali zgjedhor u soll në kohë, vendvotimi u hap në kohë dhe vijon gjithçka në rregull”, tha Zoran Jovanovski, Drejtor i Burgut të Idrizovës.
Pritjet e të burgosurve, të cilët votuan nën masa të veçanta sigurie, janë që këto zgjedhje të sjellin kushte më të mira për jetesë, duke përfshirë më shumë gjelbërim, ajër të pastër, parkingje e rregull në komunikacion.
“Gjithçka të mirë në këtë shtet, u dëshiroj qytetarëve dhe njerëzve që të jetë mirë. Shpresojmë se gjithçka do të jetë në rregull. Më shumë gjelbërim, më shumë të mira, të ndërtohet, të punësohen njerëzit. Domethënë për të gjithë të ketë punë”, tha një i burgosur.
“Më e rëndësishme në Veles është të rregullohen rrugët dhe parkingjet. Nuk kemi parking askund në qytet. Kaos është me veturat, çdo shtëpi e dytë apo e tretë ka nga 3 apo 4 vetura”.
“Parking patjetër duhet të ketë për tani, për veturat gjithashtu sepse po bëhen shumë ndeshje. Patjetër duhet të përforcohet për veturat”.
“Gjelbërim patjetër duhet të ketë fillimisht për fëmijët. Të bëhen sa më shumë parqe për fëmijët”.
“Fillimisht për të gjithë të jetë korrekt, të ofrojë ndihmë ndaj të gjithëve”.
“Sinqerisht nuk pres shumë pasi për atë nevojiten mjete të mëdha financiare, ndërsa për realizimin e atyre mjeteve financiare duhet të ketë burime”.
“Për mbeturinat duhen kamionë të rinj, për transportin e qytetit duhen autobusë të rinj ekologjik”.
Numri i të burgosurve që patën të drejtë vote sot në nivel të shtetit është 2.162, të cilët votuan në 14 Institucione Ndëshkuese Përmirësuese. Plotësisht të drejtën e votimit sot kishin të drejtë ta realizojnë edhe 8.848 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, por edhe 442 persona, banues të shtëpive për të moshuar. /Alsat.mk



