Të famshmit që i shpenzojnë paratë e tyre për t’i ndihmuar të tjerët

Në çdo situatë është shumë e rëndësishme që të ngritët vetëdija për t’i ndihmuar njerëzit që jetojnë në varfëri të skajshme, duke qenë se sadopak që dhurojmë, atyre mund t’u shërbejë shumë.

Në ndërkohë, një rol të madh në ndihmën e njerëzve që kanë nevojë, luajnë organizatat humanitare që grumbullojnë fonde dhe i orientojnë ato drejt grupeve më të rrezikuara.

Yje të shumta të njohura kanë themeluar organizata të tilla bamirëse, përmes të cilave dhurojnë shuma të majme të parave të tyre dhe bashkëpunëtorëve që iu përgjigjen pozitivisht iniciativave bamirëse.

Angelina Jolie

Angelina Jolie ishte vetëdijesuar për nevojat e angazhimit humanitar gjatë xhirimeve të filmit “Tomb Raider” në Kamboxhia. Pas kthimit në shtëpi, kishte kontaktuar me UNHCR dhe iu ishte bashkuar. Në këtë mënyrë, thuajse për dy dekada, ajo ka shkuar nëpër misione të ndryshme nëpër gjithë botën, ndërsa i ka vizituar dhe u ka ndihmuar refugjatëve në më shumë se 20 vende.

Ajo e ka themeluar edhe fondacionin Maddox Jolie-Pitt Foundation, ndërsa misioni i saj fillimisht ishte mbrojtja e banorëve nëpër fshatra të rrezikuara, si edhe kujdesi ndaj kafshëve dhe pyjeve. Më pastaj, ka nisur të angazhohet edhe në edukim, barazi gjinore dhe në problemet shëndetësore në Kamboxhia.

Nga viti 2012 është bërë e dërguara speciale e UNHCR dhe mund të prezantohet edhe në nivele diplomatike.

Keanu Reeves

Edhe pse nuk ka të dhëna që e konfirmojnë shumën e saktë të parave të dhuruara, Reeves është një kontribuues i vazhdueshëm për çështjet e bamirësisë. Aktori ka një fondacion privat që i ndihmon spitalet e fëmijëve dhe institutet hulumtuese të kancerit, por nuk dëshiron që t’i bëjë publike ndihmat e tij.

Ai njihet për zemërgjerësinë e madhe, ndërsa pas diagnostikimit të motrës së tij, Kim, me leukemi në vitin 1991, aktori e mbështeti për një dekadë gjatë mjekimit të saj, ndërsa asokohe u raportua se ai kishte dhuruar 70 për qind të përfitimeve nga “The Matrix” për spitalet që merreshin me trajtimin e leukemisë.

Një shumë të parave, Reeves ua dhuron edhe klinikave që kujdesen për njerëzit që e kanë të lënduar shtyllën kurrizore.

Leonardo DiCaprio

Fondacioni i Leonardo DiCaprios ka dhuruar dhjetëra miliona euro në projekte të shumta për të mbrojtur mjedisin.

Hamshori hollivudian angazhohet përmes partneriteteve me projekte të shumta lokale anekënd botës, si edhe përmes organizatave ndërkombëtare, si Oceana, Wild Foundation e World Wildfire Fund.

Aktivisti për mbrojtjen e ambientit gjatë gjithë kohës ka folur në publik për çështjet e lidhura me ndryshimet klimatike dhe njëherësh është përfshirë në fushata të rëndësishme vegane.

Antonio Banderas

Antonio Banderas është një luftëtar për të drejtat e njerëzve që ndodhen në situata të pakëndshme. Para një dekade, ai e ka themeluar organizatën bamirëse, Tears and Favors Foundation, e cila u siguron bursa studentëve që nuk kanë para të mjaftueshme që të studiojnë në Universitetin e Malagas.

Veç kësaj, fondacioni i tij bashkëpunon me organizata të tjera që ofrojnë kujdes shëndetësor për pacientët e sëmurë nga kanceri.

Amal dhe George Clooney

Çifti i famshëm e ka themeluar organizatën bamirëse, ‘Clooney Foundation for Justice’, ku përfshihet angazhimi për të drejtat e njeriut. Ata duan që të jenë përfaqësues të të drejtave njerëzore në gjithë botën.

Fondacioni i aktorit hollivudian dhe bashkëshortes së tij dhuron para për t’i ndihmuar refugjatët, njerëzit e rrezikuar dhe komunitetet që janë shënjestër e urrejtjes.

Jackie Chan

Ylli i filmave aksion është mbështetës i organizatave që i ndihmojnë fëmijët në gjihtë botën. Pos kësaj, aktori para më shumë se tri dekada i ka themeluar dy fondacione bamirëse.

Përmes tyre, Chan ofron bursa dhe i ndihmon të rinjtë në Hong Kong, si dhe ofron ndihmë mjekësore dhe u ndihmon të prekurve nga katastrofat natyrore.

Organizata tjetër u ndihmon fëmijëve dhe pleqve që jetojnë në vendet e largëta në Kinë, ndërton shkolla dhe u ofron edukim të varfërve. Nuk mungon edhe ndihma materiale, përmes veshjeve apo karrocave për pleqtë e palëvizshëm.

John Cena

Sportisti i shndërruar në aktor është i njohur edhe për angazhimin e tij me fondacionin Make-A-Wish që ofron dhurata për fëmijët.

Angazhimi i tij nuk kufizohet këtu, ai ka ndihmuar në grumbullimin e fondeve për mjekimin e kancerit të gjirit, ndërsa jo shumë kohë më parë ka dhuruar mbi dy milionë dollarë për t’u ndihmuar veteranëve të luftës që ta gjejnë qetësinë.

Matt Damon

Organizata e tij, H2O Africa, angazhohet për të ngritur vetëdijen për ujin e pastër në Afrikë. Për më shumë, ai ka bashkëpunuar me Water Partners duke siguruar qasje në ujë të pijshëm dhe ujë të pastër me kushte sanitare me çmime të përballueshme.

Njëherësh, ai e mbështet edhe projektin One, i cili angazhohet për reduktimin e varfërisë dhe parandalimin e sëmundjeve në vendet në zhvillim.

J.K. Rowling

Përfitimet nga shitjet e disa prej librave të saj të popullarizuara i ka dhuruar për organizata të shumta bamirëse.

Më pas, ajo e themeloi edhe organizatën e saj të quajtur Lumos, e cila ka për qëllim që t’i ndihmojë fëmijët e varfër nëpër botë.

Po ashtu, shkrimtarja e famshme e ka themeluar edhe një organizatë që i mbështet gratë, fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në ambiente të rrezikshme, në mënyrë që t’i zvogëlojë rastet sociale./Telegrafi/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme