Gazetar: Mihailo Donev
Interpelanca ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi është vetëm mekanizëm për të ushtruar presion ndaj anëtarëve që të tërhiqen vetë, vlerëson Ivana Petkovska nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”. Interpelanca nuk do të thotë domosdoshmërisht shkarkim të anëtarëve, ndërsa Petkovska konsideron se ata vetë nuk do të japin dorëheqjen.
“Nëse miratohet konkluzioni se është votuar interpelanca, kjo nuk do të thotë se ata janë shkarkuar menjëherë, respektivisht ky është një lloj presioni që anëtarët e Këshillit Gjyqësor të japin dorëheqje. Kështu që, ne si sektor civil dhe koalicion në disa raste u kemi bërë thirrje anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që të japin dorëheqje, kjo nuk ka ndodhur deri më sot, kështu që sinqerisht nuk pres që kjo të ndodhë edhe pas interpelancës nëse ajo votohet”, tha Ivana Petkovska, Koalicioni Të gjithë për gjykim të drejtë.
Ndërkohë, është duke u përgatitur zgjidhje e re ligjore për Këshillin Gjyqësor, ndërsa si një nga ndryshimet që përflitet është pikërisht mundësia që Kuvendi të shkarkojë drejtpërdrejt anëtarët e këshillit që zgjidhen atje. Megjithatë, sipas Petkovskës, një mundësi e tillë do të hapte rrugën për keqpërdorim politik në të ardhmen.
“Çdo shkarkim i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga Kuvendi do të krijonte precedent të keq që çdo pushtet mund ta keqpërdor atë dhe ndoshta të mos e them, a do të nënkuptonte kjo që çdo katër vjet do të kishim anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor? Kështu që, është një precedent i keq që nuk duhet të ndodhë”, tha Ivana Petkovska, Koalicioni Të gjithë për gjykim të drejtë.
Nga Koalicioni janë të mendimit se për shkarkimin e anëtarëve të këshillit, kompetenca duhet t’i jepet vetë këshillit, ngjashëm me atë që në disa raste në opinion e theksoi kreu i Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski. Debati për shkarkimin e anëtarëve të gjyqësorit ka vazhduar për një kohë të gjatë, por ai u intensifikua pasi kryeministri Mickoski njoftoi se deputetët e partisë në pushtet parashtrojnë nismë në Kuvend për interpelancën e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi./Alsat.mk