Të pa kompromis për karrigen e kryeministrit, LDK e VV ndajnë rrugët

Një koalicion i mundshëm midis dy partive më të mëdha të opozitës çdo ditë po bëhet më pak i mundshëm.

Edhe pas lutjeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës për një listë të përbashkët parazgjedhore, këta të fundit duken të painteresuar, shkruan lajmi.net.

Edhe vet zyrtari për media i Lidhjes Demokratike të Kosovës për lajmi.net kishte deklaruar se partia e tij preferon të shkojë e vetme në zgjedhje.

Të njëjtën prerazi e kanë thënë edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri në një debat televiziv dhe zyrtarë tjerë të kësaj partie.

E siç duket, problem për këtë koalicion të mundshëm është karriga e kryeministrit.

Lidhja Demokratike e Kosovës janë deklaruar publikisht se në çfarëdo koalicioni, udhëheqësi i qeverisë duhet t’i takojë kësaj partie.

Të njëjtën e pretendon edhe Lëvizja Vetëvendosje. Kështu thonë zyrtarët e lartë të kësaj partie.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi për lajmi.net ka thënë se për koalicionet vendos Këshilli i Përgjithshëm i VV-së, por se nuk ka asgjë definitive me LDK-në.

“Së pari për koalicionet e mundshme sa i përket Vetëvendosjes, aty vendos Këshilli i Përgjithshëm, por çështja me LDK-në është e politikave të tyre që i ndërtojnë. Unë konsideroj se nuk ka diçka definitive në LDK dhe kjo do të sqarohet pas datës 3 gusht kur do t’i kenë zgjedhjet e tyre të brendshme”, tha Kurteshi për lajmi.net.

Më tutje, Kurteshi është shprehur se është në të drejtën e LDK-së të vendos për koalicione dhe se nuk do të ketë hatër-mbetje.

“Është çështje e tyre, e kanë të drejtë të vendosin për subjektin e tyre, nuk ka aty as hatër-mbetje, sepse koalicionet nuk bëhen për shkak të dashurisë ndërmjet partive, por për shkak të interesave, nëse ata nuk e shohin në interes të subjektit të tyre, nuk janë të obliguar”, tha Kurteshi.

Më tutje, Kurteshi ka theksuar faktin se çështja e kryeministrit është problemi midis këtyre dy partive, pasi sipas tij, pozita e kryeministrit, padiskutueshëm i takon liderit të VV-së, Albin Kurtit.

“Por është edhe çështja e kandidatit për kryeministër, sepse Albin Kurti është njeriu më i votuar në Kosovë dhe natyrisht që me çfarëdo formule atij do t’i takonte pozicioni i kryeministrit, edhe ne si Vetëvendosje jemi të bindur se ndryshe nuk do të ketë gjasë”, tha Kurteshi për lajmi.net.

E se kryeministri i takon LDK-së e ka thënë edhe kryetari i Pejës nga kjo parti dhe njëri nga emrat e përmendur për të parin e partisë, Gazmend Muhaxheri.

Vizioni për postin e kryeministrit tek këto dy parti po del të jetë problemi i pazgjidhshëm e që pamundëson një koalicion të mundshëm që do ta sillte opozitën në pushtet. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme