Të pathënat e takimit të ambasadorit amerikan me liderët e vendit

Gazeta Blic nga burime brenda takimit të ambasadorit amerikan me liderët e vendit, ka marrë vesh se çka saktësisht u diskutua.Sipas këtyre burimeve, ambasadori amerikan Philp Kosnett kishte dy kërkesa të qarta.“Heqja e përkohshme e taksës ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Dhe kërkesa që të vazhdohet dialogu me Serbinë”, thonë burime të Gazetës Blic.

Pavarësisht insistimit të ambasadorit amerikan, merret vesh se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka pranuar që të tërhiqet taksa.“Kryeministri Haradinaj ka insistuar që të vazhdohet me masën e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake”, thonë burime e Gazetës Blic.Këto burime bëjnë me dije se javës tjetër sipas të gjitha gjasave do të arrihet një pajtueshmëri edhe ndërmjet liderëve se si të vazhdohet tutje.

“Ka një vullnet edhe ndërmjet liderëve që të gjendet një zgjidhje në lidhje me çështjen e taksës”, thonë këto burime.Ndryshe, përpos ambasadorit amerikan, edhe kryetari i Kuvendit dhe njëherit kryetari i PDK-së i ka bërë kërkesë kryeministrit që ta pezullojë përkohësisht taksën, por që deri më tani Haradinaj nuk është tërhequr.

Ndërkaq, pas përfundimit të takimit kryeministri Haradinaj ka theksuar se nuk e kupton se përse Serbia është duke kërkuar heqjen e taksës kur po ky vend ka marrë vendime të cilat janë në dem të Kosovës.“Me rëndësi Kosova të mbetet në këmbë. Unë jam i interesuar për një marrëveshje me Serbinë për njohje reciproke obligative për të dyja vendet. Kuptohet pa çmimin e territorit dhe zajednicës. Jam për marrëveshje por s’mund të kthehemi para shkurtit 2008. Vendim i Qeverisë është vendim sovran. Pra ne nuk e kushtëzojmë dialogun me ndonjë vendim të qeverisë së Serbisë. Është vendim i brendshëm. Jam për kthimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje. Takimi i djeshëm ka qenë mes partnerëve të koalicionit ka qenë bisedë për të gjitha sfidat që i kemi para vetës. Kemi vështirësi të mëdha. Po ekziston bindja se taksa po krijon probleme për dialogun. Ekziston kjo bindje. Na kërkohet që t’ia japim shansin dialogut. I dëgjojmë me kujdes këto mendime”, tha Haradinaj.Kurse, presidenti i vendit, Hashim Thaçi takimet me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett i ka quajtur takime të rregullta për siç ai u shpreh, për koordinim për agjendat që i kemi para nesh.“Takimet e tilla ndodhin shpesh. Janë takime të rregullta edhe me ambasadorin e SHBA-së dhe me bartësit e institucioneve të vendit në përkushtimin që e kemi për koordinim edhe më të mirë në agjendat që i kemi para nesh. Natyrisht gjithmonë në koordinim me SHBA-të dhe konsultim shumë të ngushtë. Mendoj se ishte takim që i ka kontribuar qartësisë së agjendës dhe natyrisht edhe fuqizimit me SHBA-të. Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet mik i përjetshëm i SHBA-së dhe nuk ka individ apo agjenda ditore që do ta sfidonin këtë partneritet të shtetit të Kosovës, as sot as në të ardhmen me SHBA-të”, ka thënë presidenti./Gazeta Blic

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme