Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kryer një hulumtim të opinionit publik në mesin e votuesve të rinj nga mosha 17 deri 21 vjeçare.
Hulumtimi është zhvilluar nga data 26 nëntor deri më 9 dhjetor, si dhe ka përfshirë 1,200 respodentë, prej tyre 50.3% vajza dhe 49.7% djem. Për të përfaqësuar shpërndarjen e popullatës në bazë të etnisë dhe vendbanimit, 71.9% e të anketuarave janë shqiptarë, 16.7% serbë dhe 11.4% të tjerë, ndërsa 52.7% në zonat rurale dhe 47.3% në zonat urbane. Marzha e gabimit është +- 2.74%.
Sa i përket qëndrimeve të të rinjve për partitë politike, mbizotëron mendimi se ato janë të ndikuara nga një grup i vogël njerëzish me fuqi të madhe.
Si një e gjetur më shqetësues nga anketimi ka dalë që të rinjtë i shohin partitë politike si institucione nga të cilat mund të përfitojnë punësim dhe avancim më të lehtë në karrierë. Si institucioni më i besuar në mesin e të rinjve është renditur komuna, ndërsa në partitë politike kanë më së paku besim.
Nga të rinjtë është kërkuar që të japin një emër se cili është politikani model për ta. Nga 69 emra të personave të ndryshëm që janë dhënë, Albin Kurti është politikani model për të rinjtë me 13.7%, i pasuar nga Hashim Thaçi (10.5%) dhe Kadri Veseli (7.5%). Përderisa 23.5% e të anketuarve kanë deklaruar se asnjë prej politikanëve ekzistues nuk janë model që duhet ndjekur.