Të shtëna vdekjeprurëse në Viskonsin, guvernatori shpall gjendje të jashtëzakonshme

Të paktën një person është qëlluar për vdekje dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugët e Kenoshas, në Viskonsin, në natën e tretë të protestave të nxitura nga të shtënat e zyrtarëve policorë kundër një afrikano-amerikani, për arsye ende të panjohura.

Disa video të postuara në rrjetet sociale më 26 gusht shfaqin një person që duket se është qëlluar në një përleshje në mes të civilëve. Një video tjetër shfaq një burrë duke shtënë drejt njerëzve që janë duke vrapuar tek ai, ndërkohë që të shtëna mund të dëgjohen në sfond.

Guvernatori i Viskonsinit, Tony Evers, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, si pasojë e përshkallëzimit të situatës. Jacob Blake, 29-vjeçar, ka mbetur i paralizuar dhe “është duke luftuar për jetë” në një spital, pasi është qëlluar disa herë me armë zjarri, kanë thënë familjarë dhe avokatë të tij më 25 gusht.

Image 

“Drejtësi për Jacob Blake”

Guvernatori Evers ka arsyetuar vendimin për gjendje të jashtëzakonshme, duke thënë se do të angazhojë trupat e Gardës Kombëtare, pas tri netëve të përleshjes që kanë dëmtuar rëndë qytetin me 100,000 banorë.

Në një konferencë për media më 25 gusht, prindërit e Blake janë shprehur të mërzitur për të shtënat teksa kanë kritikuar vandalizmin dhe dhunën që ka shkatërruar dhjetëra ndërtesa.

“Ata kanë qëlluar djalin tim shtatë herë. Shtatë herë! Sikur ai të mos vlente”, ka thënë Jacob Blake Sr. para gazetarëve.

“Djali im vlen. Ai është njeri dhe vlen”.

Nëna e Blake, Julia Jackon, ka thënë se djali i saj është “duke luftuar për jetë”, mirëpo ka dënuar dhunën në qytet.

“Kjo nuk reflekton djalin tim apo familjen time”, ka thënë ajo.

“Nëse Jackob do ta dinte se gjërat kanë ndodhur kështu, dhuna dhe shkatërrimi, ai do të ishte shumë i pakënaqur”.

Image 

Protestat në Uiskonsin

Në një video që shpërfaq incidentin e 23 gushtit, Blake shihet duke ecur rreth një makine, derisa zyrtarët policorë kanë armët poshtë.

Ai më pas hap njërën derë të makinës dhe shtrihet në veturë, derisa një zyrtar policor e tërheq për këmishe.

Zëri i shtatë të shtënave mund të dëgjohet ndërkohë që Blake është me shpinë të kthyer.

Tre fëmijët e tij kanë qenë në anën e mbrapme të makinës, kur policia ka shtënë kundër tij.

Një tjetër video, nga një tjetër kënd, ka shfaqur përleshjen në mes të Blake dhe tre zyrtarëve policorë në ulësen e pasagjerit në makinë.

Zyrtarët policorë kanë thënë se i janë përgjigjur një përleshjeje familjare, mirëpo nuk kanë dhënë sqarim se çfarë ka nxitur të shtënat.

Ende nuk është bërë e ditur nëse zyrtarët kanë parë diçka brenda makinës.

Të tre zyrtarëve të përfshirë në incident u është shqiptuar masa e largimit administrativ, praktikë standarde kur një zyrtar policor gjuan me armë zjarri.

Ky rast është duke u hetuar aktualisht nga Departamenti për Drejtësi në Viskonsin.

Të dhënat e gjykatës tregojnë se ndaj Blake ka qenë i lëshuar një urdhër-arrest nën akuzat për sulm seksual të shkallës së tretë, dhe sjellje të çrregullta në lidhje me abuzim në familje në muajin korrik.

Avokati për të drejta civile, Benjamin Crump, që po përfaqëson Blake, ka thënë se klienti i tij ka qenë duke tentuar të ndalë një incident familjar para se të qëllohej.

Të shtënat me armë zjarri kundër një tjetër afrikano-amerikani vijnë ndërkohë që Shtetet e Bashkuara veçse po përballen me zemërim dhe protesta, si pasojë e vdekjes së George Floydit teksa ka qenë në mbajtje policore.

Këto raste është thënë të kenë thelluar ndasitë politike rreth racës, në një vit veçse të polarizuar për shkak të zgjedhjeve.

Guvernatori Evers, demokrat, po përballet me presion në rritje ng republikanët për menaxhim të pakënaqësive.

“Nuk mund të lejojmë që të vazhdojë cikli i racizmit sistematik dhe padrejtësisë”, ka thënë Evers.

“Ne po ashtu nuk mund të lejojmë që të shkojmë drejt rrugës së dëmit dhe shkatërrimit”.

Të shtënat kundër Blake kanë nxitur protesta në gjithë Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë, Nju Jorkun, Uashingtonin, Portland, Sietëll dhe krqytetin e Viskonsinit, Madison.

Clyde McLemore, president i lëvizjes, Jeta e Njerëzve me Ngjyrë ka Vlerë, ka thënë se protestat do të vazhdojnë derisa të përjashtohen apo të dënohen zyrtarët policorë që kanë plagosur Blake.

“Ne nuk do të ndalemi së protestuari derisa ta përfundojmë këtë gjë”, ka thënë ai.

“Nuk e arsyetoj djegien e ndërtesave dhe plaçkitjet, mirëpo i kuptoj ato. Ato vende janë të siguruara, do të rregullohen”./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme