Një rast i mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm është regjistruar mbrëmë në lagjen Kalabria Emshir të Prishtinës, ku të shtënat me armë gjatë një ahengu kanë alarmuar policinë.
Burimet e medias bëjnë me dije se rreth orës 20:00, policia ka marrë një informacion për krisma armësh në këtë lagje. Patrullat policore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë arritur të lokalizojnë një shtëpi ku po mbahej një aheng.
Në oborrin e shtëpisë, hetuesit dhe krimteknikët kanë gjetur disa gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, por gjatë kontrollit të shtëpisë nuk është gjetur asnjë armë.
Më pas, gjatë shqyrtimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, është vërejtur i dyshuari, kishte marrë një armë dhe kishte shtënë me të, për ta vendosur më pas në bagazhin e veturës së tij.
I dyshuari, në prani të avokatit të tij, ka pranuar para hetuesve se kishte shtënë me armën e llojit AK-47, duke thënë se e kishte trashëguar dhe se e kishte përdorur në atë moment për shkak të emocioneve.
Ai ka dorëzuar në polici armën AK-47, një karikator me fishekë dhe disa gëzhoja.
Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar, i cili e ka cilësuar rastin dhe ka urdhëruar që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt.