Papa i kërkon Ukrainës të bëjë një hap prapa për të shpëtuar popullin e tij. Kreu i Vatikanit, dy vjet pas pushtimit rus, foli në Radio Televizionin Zviceran dhe shprehu fjalë sfiduese.
“Ai që e sheh situatën, që mendon për njerëzit, që ka guximin të ngrejë flamurin e bardhë për të negociuar, është më i fortë. Sot ne mund të negociojmë me ndihmën e fuqive ndërkombëtare. Fjala negociatë është e guximshme. Kur shikon se je i mundur, se gjërat nuk po shkojnë si duhet, duhet të kesh guximin të negociosh. Të vjen turp, por me sa vdekje do të përfundojë? Negocio me kohë. Kërkoni ndonjë vend që të veprojë si ndërmjetës”.
Sipas agjencisë se lajmeve Reuters kjo ishte hera e parë që Françesku përdorte terma të tillë si “flamur i bardhë” ose “i mundur” në diskutimin e luftës në Ukrainë, megjithëse ai ka folur në të kaluarën për nevojën për negociata.
Vatikani më pas sqaroi se përmes kësaj interviste “Papa nuk kishte kërkuar dorëzimin e Kievit”. Muajin e kaluar Zelenskiy tha se 31,000 ushtarë ukrainas ishin vrarë që nga pushtimi rus në shkurt 2022 dhe se dhjetëra mijëra civilë ishin vrarë në zonat e pushtuara të vendit.