Një nga gazetat më të njohura jo vetëm në Gjermani, Sueddeutsche Zeitung shkruan sot për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Sipas gazetarit Florian Hassel, qeveria shqiptare ka shkelur Kushtetutën duke shembur Teatrin Kombëtar.
“Ishte ndoshta skandali më i madh kulturor shqiptar pas rënies së komunizmit: të dielën në mëngjes herët më 17 maj të vitit 2020, qeveria në Tiranë përdori izolimin nga pandemia për të shembur Teatrin Kombëtar.
Mbi të gjitha, Rama theu ligjin dhe kushtetutën, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila ishte paralizuar prej vitesh dhe është në gjendje të punojë sërish nga fillimi i vitit 2021.
Vendimi përfundimtar nuk është zbardhur akoma. Sidoqoftë, në një vendim të 2 korrikut, gjykatësit kushtetues gjetën se ligji i miratuar nga qeveria Rama në vitin 2018, me një procedurë të vecantë për ndërtimin e një teatri të ri kombëtar nga një manjat ndërtimesh, i lidhur me qeverinë, kishte shkelur Kushtetutën në tre pika.
Një vendim i Këshillit të Ministrave nën kryesinë e Ramës, i miratuar me shpejtësi përpara prishjes më 8 maj 2020, për të transferuar Teatrin Kombëtar nga pronë e Ministrisë së Kulturës në pronësi të Bashkisë së Tiranës, gjithashtu shkelte ligjin. Ligji i posacëm dhe vendimi u shfuqizuan”, shkruan gazeta.
Më tej gazeta i përgjigjet edhe kryebashkiakut Erion Veliaj që festoi këtë vendim.
“Gjyqtarët kushtetues vendosën të mos komentojnë prishjen. Kryebashkiaku Erion Veliaj e festoi këtë si një konfirmim të vendimit për të prishur teatrin. Në fakt, gjykatësit kushtetues thjesht vendosën që kjo cështje nuk ishte në juridiksionin e tyre. Sidoqoftë, gjykatësit kushtetues ndaluan të gjitha përgatitjet ligjore dhe fillimin e ndërtimit të një teatri të ri kombëtar deri në gjykimin përfundimtar. Planet e njoftuara më parë sugjerojnë jo vetëm që do ndërtohet një teatër i ri, por mbi të gjitha edhe blloqe të reja apartamentesh dhe qendra tregtare”.
© SYRI.net