Ngërçi për çështjen e Teatrit Kombëtar mund të ketë zgjidhje, pasi BE-ja konstaton se ligji i miratuar në Kuvend nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Letra mban firmën e Shefes së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, dhe i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.
Matuella shkruan se “Komisioni Europian nuk ka asnjë kompetencë për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit Special me kuadrin ligjor aktual të Shqipërisë”, por nga ana tjetër, ajo shprehet se nuk ka asnjë shkelje të MSA-së, siç ka deklaruar më herët opozita shqiptare.
“Artikulli 74(3) i MSA-së i referohet dhënies së aksesit të barabartë kompanive private që duan të lidhin kontrata, duke u bazuar në Ligjin Shqiptar mbi Prokurimet Publike. Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve Shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin”, thuhet të letrën e Komisionit Europian.
Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se është gjetur një dakordësi me Komisionin Europian për një amendim të thjeshtë në ligj, çka do e bënte ate edhe më të hapur e transparent.