Teknologjia nuk e zëvendëson librin

Gazetare: Melihate Rustemi

Leximi i librave dhe lektyrave të ndryshme gjatë pushimeve dimërore mbetet dëshirë e pa zbehur tek nxënësit pavarësisht që teknologjia tashmë zë vend të veçantë tek të rinjtë.

Në përmbyllje të gjysmërvjetorit të parë të shkollës, Alsat vizitoi shkollën fillore “Përparimi” të fshatit Krushopek të Komunës së Sarajit ku nxënësit prisnin në radhë pranë bibliotekës së shkollës për të marrë librat e preferuar.

“Të lexosh është një ndjenjë shumë e mrekullueshme dhe leximi të krijon çdo imagjinatë dhe të bën të imagjinosh çdo personazh që ka përshkruar poeti, çdo vend që e përshkruan poeti aty”, tha një nxënëse.

“Unë i kushtoj shumë vlerë leximit sepse ato janë një mënyrë për të ecur para jetës time dhe për të parë veten në një vend që dëshiroj që ta shoh. Kam lexuar diku 20 ose 22 libra por më së shumti më ka pëlqyer libri “A mund të jetë mendja e qetë” dhe aty kam kuptuar që mendja çdo herë zhvillohet dhe asnjëherë nuk do të jetë e qetë. Besoj që më e vlefshme është libri por dhe teknologjia, telefonat janë të vlefshëm për disa njerëz por varet se si ne i përdorim ato”, u shpreh një nxënëse tjetër.

“Unë për vete kur marr dhe lexoj e lë telefonin mënjanë, e kam këtë si shprehi. Njoh edhe gjuhën turke që e kam mësuar këto dy tre vitet e fundit dhe më pëlqen si gjuhë mirëpo libra turqisht nuk kam lexu, kam lexu vetëm në gjuhën angleze të cilat më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë”, theksoi një nxënëse.

Bibliotekistja e shkollës Sejhane Gani Sali tha se me shumë kënaqësi punon me nxënësit që t’ju mbjell dashurinë për librin dhe leximin. Madje ajo kujton se nxënësit tashmë shprehin interesim për libra në gjuhë të huaj.

“Nxënësit më tepër preferojnë të lexojnë libra të veçantë të cilat u referohen preferencave dhe kurioziteteve të tyre duke filluar që nga ato klasiket, romane, poezi, letërsi, gjuhë të huaj poashtu edhe literaturën bashkëkohore me tema të cilat e përfaqësojnë jetën e tyre. Pavarësisht ndikimit të rrjeteve sociale që kemi në ditët e sotme dhe një shpërqëndrimi të madhë që ndodhë sot libri është frymëzuesi më I mirë, gjithmonë ngelet ai I cili I çon nxënësit të imagjinojnë më shumë, I frymëzon gjë të cilën nuk mund ta bën as internet. Kemi këtu në shkollën tonë nxënës të cilët preferojnë të lexojnë libra shumë në gjuhën angleze”, tha Sejhane Gani Sali, bibliotekiste.

Tashmë katër vjet shkolla fillore “Përparimi” në fshatin Krushopek të Komunës së Sarajit funksionon si shkollë më vete. Udhëheqësia e shkollës, stafi mësimor dhe nxënësit japin kontribut të posaçëm që shkolla në fjalë të radhitet ndër shkollat më të mira kur bëhet fjalë për sukseset e arritura në mësim. / Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme