TELEKOMI I KOSOVËS ANGAZHON ISH-AVOKATËT E BLERIM DEVOLLIT PËR T’U ANKUAR KUNDËR TIJ

Kompania e këshilluar nga Frank Wisner, “Patton Boggs” e fiton edhe një tender në Kosovë. Telekomi i Kosovës i ka bërë gati 159 mijë euro për këtë kompani.

Telekomi i Kosovës ka angazhuar kompaninë “Patton Boggs”, pjesë e së cilës është ish-diplomati Frank Wisner për t’iu kundërvënë vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, i cili është në favor të kompanisë “Devolli Group”.

Ndërmarrja publike, Telekomi i Kosovës ka vendosur të ankohet ndaj këtij vendimi pasi që këmbëngul se nuk kishte pasur shkelje të kontratës me operatorin Z-Mobile.

Kompania “Patton Boggs” do të bëjë përgatitjen e ankesës ndaj vendimit, nëpërmjet së cilës synohet të parandalohet ndëshkimi prej 30 milionësh eurosh i Telekomit të Kosovës.

Bazuar në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, kompania amerikane do të paguhet në vlerë prej 159 mijë eurosh për kryerjen e këtij shërbimi.

KRPP ka publikuar sot njoftimin për tenderin e emërtuar “Shërbime Legale në Përgatitjen e Padisë në Gjykatën Kompetente të Britanisë së Madhe”.

Kontrata parashihet të jetë në kohëzgjatje një vjeçare. Bazuar në njoftim, në garë ishte vetëm një konkurrent i përgjegjshëm, kompania amerikane “Patton Boggs”.

E njëjta kompani para tri vjetësh kishte mbrojtur Blerim Devollin në rastin gjyqësor kundër tij, vëllait të tij Shkëlqimit, zyrtarit të kompanisë Ismet Bojkut, ish-drejtorit të PTK-së, Shyqyri Haxhës dhe kryetarit të bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalajt.

Kompania “Patton Boggs”, më 13 korrik të vitit 2013, kishte njoftuar se po mbronte vëllezërit Devollit ndaj të cilëve ishte ngritur aktakuzë nga një prokuror i EULEX-it për dëmtim të PTK-së, në rastin e nënshkrimit të kontratës për operimin e Z-Mobile.

Përveç ofrimit të shërbimeve legale për Blerim Devollin, kompania “Patton Boggs”, ka lidhur një sërë kontratash me Qeverinë e Kosovës. Deri më tash ka lidhur dy kontrata për ofrimin e shërbimeve të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në interes të Qeverisë e Kosovës. Kontratat kanë për qëllim afirmimin politik të Kosovës në SHBA si dhe nxitjen e investimeve amerikane në Kosovë.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës e ka angazhuar këtë kompani për të ofruar shërbime legale në Gjykatën e Arbitrazhit në Washington. Në këtë gjykatë Kosova është paditur nga kompania gjermane “Axos”, e cila kërkon qindra miliona euro dëmshpërblim për shkak të pezullimit të procesit të privatizimit të PTK-së.

Arsim Bilalli zëdhënës i Telekomit të Kosovës në një përgjigje për Insajderin tha se kjo kontratë i referohet angazhimit të një ekspertize eksterne ligjore, “ e cila do të mbrojë pozicionet e korporatës sonë në Gjykatën kompetente në Londër, kundër vendimit final të Arbitrazhit Ndërkombëtar, sipas rregullave ICC”.

“Kjo strategji e jona është rrjedhojë e një vlerësimi intern se vendimi i Arbirtrazhit Ndërkombëtar, përmban një mori shkeljesh formale/ligjore dhe në të njëjtën kohë shpreh konstatim të gabuar të gjendjes materiale të rastit në fjalë”, tha Bilalli. /Insajderi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme