Metin Izeti
Tituj të ndryshëm telenovelash mund të shihen gjithnjë e më shpesh në listën e programeve televizive në hapësirat tona. Çdo program jo vetëm që ka telenovelën e tij, por ka disa prej tyre. Sipas parimit të ofertës dhe kërkesës, mund të konkludohet se telenovela si zhanër ka një audiencë të gjerë që me besnikëri nga dita në ditë, në komoditetin e shtëpisë, e ndjek serialin e tij të preferuar. Ky zhvillim i ngjarjeve solli telenovelat në programin televiziv prime-time, që e vendos atë në qendër të interesit, por ama, nga ana tjetër, kjo situatë kërkon një rishikim të zhanrit për të konstatuar ndikimin dhe vlerën kulturore-artistike të tyre. Sa më shumë që thellohemi në hulumtimin e zhanrit të tyre përballemi me shumë probleme serioze që ai mbart me vete. Nga ana tjetër shumë qartë vihet në pikëpyetje edhe cilësia artistike dhe estetike e tij. Gjatë analizës së produksionit, personazheve, aktrimit, historisë dhe vlerave që promovojnë, telenovelat na paraqiten si bërje shumë të varfëra estetike, më drejtë ata promovojnë kiçin dhe që është më e keqja kiçi paraqitet si i suksesshëm për shkak të shikueshmërisë së gjerë.
Telenovela paraqet një zhanër me cilësi të ulët artistike, roli kryesor i së cilës është të mbledhë një audiencë masive për një qëllim marketingu, dhe se si i tillë nuk e meriton sasinë e kohës televizive që ne e harxhojmë për të. Jo vetem se ajo nuk e meriton atë kohë, por duke pasur parasysh sasinë e kohës që ajo përfaqësohet, paraqet edhe një lloj rreziku për kuptimin e realitetit shoqëror.
Nëse analizohet koha e shkurtë dhe materialet e pakta gjatë përgatitjes së telenovelave atëherë lirisht mund të konstatohet se telenovela është pjesë e makinerisë konsumeriste e drejtuar nga politika, kuptimi i së cilës mund të reduktohet në dy fjalë – shpejtësi dhe sasi. Me këto dy fjalë, gjithsesi se e kemi përfshirë edhe fjalën e tretë- jo cilësinë, pra kiçin.
Nuk ka dyshim se edhe shembujt më të lirë dhe më të këqij të zhanrit tërheqin rregullisht një numër të madh spektatorësh, shumë prej të cilëve thonë se e shijojnë kënaqësinë për të qeshur me marrëzinë e telenovelave të caktuara. Shumica thonë: e shikoj vetëm sepse është shumë keq; gjithashtu edhe pazakonshmëria është përgjigja në hulumtimin mbi kënaqësinë që ofron “telenovela”.
Përveç çështjes së marketingut, e cila nuk është e veçantë për këtë zhanër, edhe pse është një zhanër me këtë qëllim, ajo që mund të veçohet gjithashtu dhe që potencialisht është shqetësuese, është fakti që përmbajtjet e tilla përbëjnë pjesën më të madhe të tërësisë së programit ditor.
Duket se kurdoherë që ndez televizorin, e vetmja gjë që mund të shikojë njeriu është një lloj seriali. Po çka ndodh me pjesën tjetër të emisioneve? Po kultura? Po arsimi? Po ku është cilësia e përmbajtjes?
Është fakt se mediat formojnë diskursin shoqëror dhe opinionin publik, prandaj ato duhet të promovojnë edhe vlerat që vërtet kanë vlerë. Situata sa i përket kulturës dhe edukimit kulturor duket se po ndryshon dhe bie në trajtë alarmante. Prandaj, nuk është për t’u habitur që njerëz të grupmoshave të ndryshme, në kohën e lirë të tyre diskutojnë përmbajtjet e telenovelave, martesat, divorcet, sjelljet “ideale” ose ndonjë përmbajtje tjetër të ngjashme me to. Kjo çështje nuk është për t’u habitur për arsye se atyre u imponohen përmbajtje të tilla dhe janë më lehtë të kapshmet.
Individi i transmeton përshtypjet e tij, si dhe përmbajtjen e emisioneve të shikuara, në botën e jashtme ku ato bëhen një nga temat e komunikimit me njerëzit e tjerë. Ato bëhen tema kryesore e kohës së lirë dhe mundësi për thashetheme. Thashethemet luajnë një rol të rëndësishëm në telenovelë. Telenovela mundëson dy lloje të thashethemeve. Thashetheme brenda dhe jashtë serialit. Brenda serialit, thashethemet ndihmojnë në krijimin e një ndjenje të përditshmërisë, ndërsa komentet për aksionin, që vazhdojnë në pauzat ndërmjet dy emisoneve e paraqesin përmasën e thashethemeve të jashtme. Kështu shikuesit komentojnë ngjarjet e personazheve si individuale dhe në këtë mënyrë, personazhet që nuk kanë kontakt të drejtpërdrejtë me historinë që tregohet, japin informacion për jetën e tyre, gjë që kontribuon në gërshetimin e komplotit.
Thashethemet informojnë gjithashtu pikëpamjet morale të personazheve për ngjarje të caktuara, gjë që u jep shikuesve një sekuencë të ndryshme. Biseda të tilla priren të shkaktojnë spekulime se çfarë do të ndodhë dhe çfarë do të bëjë një personazh më tutje. Ky lloj spekulimi dhe diskutimi i reagimeve është karakteristik për telenovelën dhe e dallon atë nga format e tjera të televizionit.
A nuk është shqetësuese që tema të tilla janë prioritet kur zgjedhim tema për bisedë? Po, është shqetësuese, pasi fuqia tërheqëse e telenovelës nuk kufizohet vetëm në tërheqjen e shikuesve në serial, por telenovela, bashkë me jocilësinë dhe kiçin e saj, nga virtualja, pra fiktivja, depërton në realitetin shoqëror. Pasi bëhet pjesë e atij trillimi, shikuesi vazhdon të merret me të edhe pasi të ketë mbaruar episodi, pra edhe pasi ka fikur receptorin.
Teoricienët e komunikimit, pedagogët e medias dhe mediologët pajtohen me tezën se fuqia sociale është e përqendruar tek ata që kontrollojnë informacionin. Korporatat e fuqishme përdorin median për të krijuar një audiencë që nuk është më në gjendje të bëjë dallimin midis realitetit autentik dhe joautentik.
Duke fshirë kufijtë mes reales dhe imagjinares, ata e kthejnë realitetin mediatik në një ideologji joshjeje. Ajo ekziston për aq kohë sa komunikimi njerëzor në kontekst të shfaqjes së industrisë së reklamave do të fillojë të zbulojë këtë ideologji në të gjitha dimensionet e saj. Fatkeqësisht, megjithëse shkenca dhe teknologjia kanë përparuar, cilësia e jetës ka rënë, pikërisht sepse të gjitha forcat janë të përqendruara në krijimin e parasë, e cila për shumë është kthyer në një qëllim në vend të një mjeti, dhe që njeriu i një shoqërie moderne konsumatore, duke parë prizmat e fitimit dhe e plotësimit të nevojave të dukshme të imponuara nga telenovelat, duke u bazuar në moralin e humbur nga vlerat e vërteta njerëzore, apo në rastin më të mirë, ato imagjinare, përballet me degraddimin social dhe artistik. Pra, çdo gjë është shndërruar në devizën: Çdo gjë ka një çmim dhe asgjë nuk ka vlerë. Mungesa e vlerës padyshim nuk është problem për konceptin konsumerik, sepse telenovela josh me sukses audiencën e tij duke kërkuar prej tyre vetëm një gjë – vëmendjen e tyre.
Telenovela si e tillë nuk është qëllim dhe nuk ka qëllim në vetvete, por është një nga mjetet në duart e atyre që me veprimet e tyre tregojnë vetëm një veprim – manipulimin e masës.
Duke marrë sërish parasysh efektet hipnotike të televizionit dhe zhytjen e përditshme të audiencës më të re, të cilët ende nuk i kanë zhvilluar plotësisht qëndrimet e tyre, në botën e ekranit, na bën të pyesim veten se çfarë efekti ka tek ata? Sipas studjueve, edukatori u ofron të rinjve mundësinë për të krijuar jetën e tyre, ndërsa manipuluesi jo, por ai dirigjon jetën dhe kohën e lirë të tyre. Edukatori ofron ideale, kurse manipuluesi plotësimin e nevojave aktuale.
Sipas manipulatorit, sjellja e dëshirueshme e të rinjve përfshin imitimin dhe përjashton kritikën. Manipuluesi, pra, kërkon që të rinjtë të jenë riprodhues sa më besnikë, ndërsa edukatori, kërkon të jetë kritik me vizionin dhe iniciativat e veta. Manipulatori u sugjeron të rinjve të jetojnë me moton: “sa më i çmendur, aq më mirë!”.
Në vend të thirrjes për krenari, këmbëngulje, qëndrueshmëri, kritikë, kreativitet dhe dinjitet, të rrinjve, përmes telenovelave, u ofrohet konsumimi, shpërdorimi dhe imitimi. Manipuluesit ofrojnë “vëmendjen” dhe promovojnë egoizmin si një vlerë (të nënkuptuar). I indoktrinuar nga media me mesazhe se si të bëhet i pasur, i fuqishëm dhe i famshëm, një njeri jeton nën presion të jashtëzakonshëm për të arritur të pamundurën, ai e kalon jetën duke dashur të arrijë atë që dikush tjetër e përcakton si të rëndësishme për të dhe atë që, realisht, mund të jetë e parëndësishme për të.
Rezultati është se shumë prej të rrinjve kanë humbur dëshirën për të mësuar për veten dhe botën përreth tyre. Ai që kapet në atë rrjetë të konspiracionit dhe kiçit bëhet skllav i gjërave dhe gjërat bëhen masa e njeriut. Ne jetojmë në një shoqëri konsumatore, kështu që të rrinjtë ndryshojnë nga qenie krijuese në konsumatorë egoistë dhe pasivë. Media është një paradigmë e përcjelljes së normave përgjithësisht të pranuara që ne i quajmë moral, ndërsa përmes telenovelave, shumë shpesh cenohet morali, kultura gjuhësore dhe ajo artistike. Në to tolerohen gabimet gjuhësore, shkelen parimet artistike dhe estetike, futen zhargonizma, vulgarizma, fjalë të panevojshme dhe shumë gjëra të tjera që cenojnë, gjuhën, artin dhe moralin.
Motivimi për të mësuar vlerat zvogëlohet dhe njerëzit në këto përmbajtje të diktuara e mbytin ambicien dhe e përvetësojnë këtë gjuhë dhe përmbajtje në jetën e tyre të përditshme.
Media nuk është vetëm një burim i rëndësishëm informacioni, edukimi dhe argëtimi, por gjithashtu (gjithnjë e më shumë) një burim manipulimi dhe indoktrinimi.
Bollëku i programeve që përmbajnë vetëm seriale me përmbajtje argëtuese dhe të dhunshme po ndryshon mënyrën se si televizioni përmbush funksionin kulturor dhe arsimor, si dhe rolin e tij në procesin e globalizimit. Njeriu është qenie shoqërore dhe mediat funksionojnë si instrument me të cilin qytetarët marrin pjesë aktive në funksionimin e shoqërisë.
Megjithatë, mediat na servojnë vetëm iluzionin se jemi pjesë aktive e sistemit, ndërsa në fakt pasivizojnë shikuesin, sepse komunikimi është ekskluzivisht njëkahësh. Janë një zgjatim i qendrave të caktuara, të cilave u jepet mundësia të sundojnë popullin për qëllime tregtare dhe politike. Kështu manipulon media me qëndrimet e konsumatorëve të saj. Në vend të qytetarëve të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, ata bëhen konsumatorë jopersonalë të produkteve mediatike.
Telenovela gjithashtu i portretizon gratë në një dritë të rreme.
Shumica e femrave në telenovela duket se janë më të bukura, më të aksesueshme dhe më të pavarura ekonomikisht se femrat mesatare, gjë që sipas teorisë së kultivimit mund të çojë në humbje të vetëbesimit ose në një pamje të shtrembëruar të shikuesve ndaj botës. Nëse gratë nuk e njohin veten në personazhet që shohin në telenovela, ato mund të bëhen të pakënaqura me jetën e tyre dhe të ndihen të pavlera, sepse luftojnë me problemet e përditshme, ndërsa gratë në telenovela janë bose të suksesshme të kompanive prestigjioze.
Është e qartë se krahas aspekteve të këqija ka edhe aspekte të caktuara pozitive të zhanrit, megjithatë, duket se e para dukshëm mbizotëron, veçanërisht nëse bëhet fjalë për një seri prodhimesh më të dobëta. Nëse shumica e pasojave që lë kjo përmbajtje, kryesisht me cilësi të diskutueshme, janë negative, pse janë kaq shumë të përfaqësuara në programet televizive? Por si duket, kur përfshihet paraja, etika zhduket nga pamja dhe më pas të gjitha pasojat sociologjike dhe kulturore bëhen të parëndësishme.