
Për 2 dekada televizioni Alsat vazhdon të mbajë primatin e medias më të besueshme në Maqedoninë e Veriut. Të dhënat e fundit të anketës së Institutit Ndërkombëtar Republikan dëshmojnë se Alsat është pa konkurrencë në mesin e mediave në gjuhën shqipe.
Në sondazhin e IRI-it, televizioni ALSAT kryeson me 10 për qind besueshmëri, kundrejt mediave të tjera në gjuhën shqipe me 1 për qind e më pak. Në anketë ndër shqetësimet më të mëdha për qytetarët është kostoja lartë e jetesës dhe drejtimi jo i mirë i shtetit.
66 për qind e qytetarëve korrupsionin e shohin si problem tejet serioz. 56 për qind vlerësojnë se korrupsioni është aq i përhapur dhe i zakonshëm saqë vështirë mund të çrrënjoset.
Në pyetjen: Cilin vend e konsideroni aleatin më të rëndësishëm për vendin, 30 për qind e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut janë deklaruar për Serbinë, 17 për qind për SHBA-në, 9 për qind për Rusinë, 8 për qind për Turqinë dhe po aq për BE-në.
Ndërsa në përgjigjen nga pyetja e kombinuar për një udhëheqës botëror dhe rajonal nëse është shumë i favorshëm apo disi i favorshëm, rezulton se në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdoan është më i pëlqyeri, ndërsa në Serbi, presidenti rus Vlladimir Putin dhe në Mal të Zi presidenti kinez Xi Jinping.
Ndërkohë pothuajse në të gjithë rajonin vërehet mbështetje e fortë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Me përjashtim të Serbisë ku mbështetja është dyfish me ulët se sa në vendet e tjera. Anketa e IRI-it për Maqedoninë e Veriut është realizuar në periudhën nga 11 maj deri në 19 qershor të këtij viti me 72 për qind maqedonas dhe 28 për qind shqiptar.



