Dita e diel do të karakterizohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme në të gjithë territorin e vendit. Moti do të jetë kryesisht i kthjellët, veçanërisht në zonat qendrore dhe perëndimore.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak gjatë orëve të mesditës dhe pasdites parashikohen vranësira të pakta deri mesatare në relievet malore të lindjes. Në juglindje priten reshje të shkurtra shiu me intensitet të ulët, ndërsa në disa zona malore të kësaj treve mund të shoqërohen me shtrëngata të izoluara.
Era do të fryjë me drejtim jugperëndim – veriperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s. Në zonat e ulëta dhe bregdetare, era do të jetë disi më e fortë, duke arritur herë pas here deri në 6-8 m/s.
Sa i përket kushteve detare, valëzimi në det parashikohet të jetë i ulët, me forcë 1-2 ballë.