Në vendin tonë edhe gjatë ditës së sotme do të vijojnë masat ajrore të qëndrueshme duke sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës së kushteve atmosferike. Për pasojë moti i kthjellët dhe vranësirat e lehta do të dominojnë bregdetin dhe zonat e ulëta ndërsa vranësira më të shpeshta priten në zonat jugore duke gjeneruar reshje të izoluara shiu e dëbore.
Parashikohet që gjatë natës të ketë grumbullim të vranësirave në të gjithë vendin duke rrezikuar reshje të përkohshme shiu e dëbore. Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në orët e mëngjesit por edhe mesdita do të sjellë rritje të tyre duke luhatur vlerat ditore nga -2°C deri në 16°C.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi kryesisht verior duke sjellë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim deri në 3 – 4 ballë.
Kosova
Territori i Kosovës do të mbetet nën ndikimin e masave të ftohta dhe të qëndrueshme duke bërë që kthjellimet të jenë dominante por herë pas here do të shfaqen kalime vranësirash të lehta nëpër të gjithë territorin megjithatë nuk priten reshje.
Parashikohet që të njëjtat kushte të qëndrueshme atmosferike të na shoqërojnë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në mëngjes por edhe mesdita sjell rritje të tyre duke luhatur vlerat ditore nga -3 gradë C deri në 9 gradë C.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht verior dhe verilindor.