Përveç skemës mes kompanive, denoncimi i deputetëve të opozitës parlamentare për tenderin e uniformave të policisë hedh dritë edhe mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme për të ndikuar tek rezultati final i garës.
Në kallëzimin e dorëzuar në SPAK, ministri Sandër Lleshaj akuzohet për 5 vepra penale, duke nisur nga korrupsioni i funksionarëve të lartë shtetërorë.
Fituese e tenderit u shpall kompania D&E shpk, me një oferte prej 26 milionë dollarësh 5 milionë dollarë më shumë se kompania turke Genç Taahhüt Giyim.
Tenderi u zvarrit për gati një vit. Në denoncim thuhet se në fillim të procedurës, në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave ishin 3 anëtarë, të cilëve iu bë presion që të skualifikohej kompania e renditur e para, e cila plotësonte të gjitha kriteret, dhe që ofronte edhe 5 milionë dollarë më pak. Si pasojë e rezistencës së një pjese të këtij komisioni për të mos shkelur ligjin, në këtë komision u shtuan papritur dy anëtarë të rinj pa asnjë shpjegim, duke e çuar numrin në pesë persona.
Deputetët opozitarë thonë se “Nga ana e Drejtoreshës së Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar, Edlira Naqellari, nën bekimin e Sandër Lleshajt, komisionit i janë ofruar para për të skualifikuar firmën e kualifikuar si e para, por pasi një pjesë e tyre kanë vendosur që të mos e shkelin ligjin, Edlira Naqellari bashkë me Sandër Lleshajn kanë vendosur të shkrijnë Komisionin”.
Më pas gara është zhvilluar me një komision prej tre anëtarësh ku është shpallur fituese kompania me D&E shpk e cila kishte dhe vlerën më të lartë të ofruar, kjo tregon sipas deputetëve denoncues se fituesi ka qeneë i paracaktuar. Në kallëzimin zbulohet se grabitja e parave për qepjen e uniformave të policisë mund të jetë më shumë se 11 milionë dollarë, pasi nga D&E shpk është ofruar 51,5% të fondit limit pre 28 milionë dollarësh dhe kontrata duhet të lidhej me rreth 14 milionë dollarë.
Por në fakt marrëveshja është lidhur për 26 milionë dollarë. Shkeljet nuk përfundojnë këtu pasi kompania fituese i është lënë hapësirë për të përfituar edhe 2 milionë dollarë të tjerë për uniforma shtesë. Nga tenderat e Ministrisë së Brendshme deri ato të Ministrisë së Mbrojtjes dyshohet se në 8 vite janë përfituar mbi 100 milionë dollarë nga kompani që kanë qenë të paracaktuara si fituese.
(BalkanWeb)