Me debate të ashpra po zhvillohet mbledhja e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK). Në këtë mbledhje po merr pjesë edhe Agim Qalaj, i cili pak ditë më parë u emërua ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit, pas shkarkimit të Besim Kelmendit. Mirëpo, pjesëmarrja e tij është kundërshtuar nga një pjesë e anëtarëve të KPK-së.
Disa prej anëtarëve kërkuan që Qalaj të mos marrë pjesë në mbledhje, duke ngritur dyshime për legjitimitetin e pranisë së tij. Me këtë rast, u paraqit edhe propozimi për shkarkimin e kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj. Propozimi u bë nga Visar Krasniqi, i cili e vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e shkarkimit të Kelmendit në mbledhjen e kaluar.
Ai kërkoi edhe largimin e Qalajt nga salla, duke theksuar se ai është “person i paautorizuar” dhe se prania e tij po e pamundëson zhvillimin e rregullt të mbledhjes. “Ky proces ka marrë rrugë gjyqësore. Sot ka shkuar në Gjykatën Supreme, dhe me automatizëm ankesa në Supreme pezullon çdo veprim tjetër”, shtoi ai.
Pasi kërkesat e tyre për largimin e Qalajt nuk u morën parasysh, Shabani dhe Krasniqi braktisën mbledhjen. “Po detyrohemi të dalim. Ky është uzurpim i hapësirave dhe sjellje e papranueshme. Ju luta sinqerisht që ta largoni prej sallës, por ju vazhdoni”, deklaroi Krasniqi para se të largohej.



