BBC
Shenjat e një tjetër konflikti po shfaqen në Afrikë. Egjipti ka akuzuar Etiopinë se po kërcënon furnizimin e tij me ujë nga lumi Nil. Etiopia ka konfirmuar se ka përfunduar mbushjen e rezervuarit në digën e saj të re gjigante, e cila përdor ujin nga Nili.
Diga e Rilindjes së Madhe Etiopiane (GERD) është në degën e Nilit Blu në malësitë e Etiopisë veriore, nga ku rrjedhin 85 përqind e ujërave të Nilit. GERD është 30 kilometra në jug të kufirit me Sudanin dhe është projekti më i madh i digës hidroelektrike të Afrikës. Diga është më shumë se një milje e gjatë dhe 145 metra e lartë.
Diga nuk ka përfunduar plotësisht, por ka më shumë se 12 vite që ndërtohet. Rezervuari pas digës me vlerë 4.2 miliardë dollarë ka një sipërfaqe sa madhësia e Londrës së Madhe.
Si do ta ndihmojë diga Etiopinë?
Etiopia dëshiron që diga të prodhojë energji elektrike për 60 përqind të popullsisë së saj, që aktualisht nuk ka furnizim. Shpresohet se kjo përfundimisht do të dyfishojë prodhimin e energjisë elektrike të Etiopisë, do t’u sigurojë bizneseve furnizime të vazhdueshme me energji elektrike dhe do të nxisë zhvillimin.
Po ashtu mund të ofrojë energji elektrike për vendet fqinje, duke përfshirë Sudanin, Sudanin e Jugut, Kenian, Xhibutin dhe Eritrenë.
Egjipti, me një popullsi prej 107 milionë banorësh, mbështetet te lumi Nil për pothuajse të gjithë furnizimin me ujë të ëmbël. I nevojitet për shtëpi dhe bujqësi- veçanërisht për rritjen e pambukut, i cili kërkon shumë ujë.
Uji i Nilit përdoret gjithashtu për të mbushur liqenin Nasser, rezervuarin për hidrocentralin e Egjiptit, Asuanin.
Sudani, me një popullsi prej 48 milionë banorësh, është gjithashtu shumë i varur nga uji i Nilit.
“Masat e njëanshme të Etiopisë konsiderohen si shpërfillje e interesave dhe të drejtave të vendeve në rrjedhën e poshtme dhe sigurisë së tyre ujore,” tha Ministria e Jashtme e Egjiptit.
Ajo ka argumentuar se një reduktim me 2 përqind i ujit nga Nili mund të rezultojë në humbjen e 200 mijë hektarëve tokë të ujitur.
Egjipti është gjithashtu i shqetësuar se në kohë thatësire, Etiopia mund të mbushë rezervuarin pas digës me ujë, për të rritur kapacitetin e saj gjenerues, në vend që ta lërë atë të rrjedhë në drejtim të rrymës.
“Nuk ka asnjë marrëveshje se si duhet të menaxhohet GERD gjatë dhe pas periudhave të thatësirës,” thotë Muhammed Basheer nga Universiteti i Torontos. “Pa një marrëveshje, Etiopia mund të miratojë një qasje që maksimizon prodhimin e energjisë elektrike pas thatësirës, duke rikuperuar fillimisht depozitimin, gjë që do të ishte e pafavorshme për Egjiptin”.
Etiopia e mbushi digën gjatë tre viteve, duke hedhur poshtë argumentin e Egjiptit se duhen të paktën 12 deri në 21 vite.
Megjithëse Sudani është po kaq i prekut nga nivelet e ujit në Nil sa edhe Egjipti, përgjigjia e tij ndaj digës është kufizuar për shkak të konfliktit në vend.
A mund të arrihet një marrëveshje për të ardhmen e digës?
Diga ka qenë një burim mosmarrëveshjesh mes vendeve që kur filloi ndërtimi i saj në vitin 2011.
Një traktat i vitit 1929 dhe një tjetër i vitit 1959, i jep Egjiptit dhe Sudanit të drejta për pothuajse të gjithë ujin e Nilit.
Ai gjithashtu u jep atyre të drejtën për të vënë veton ndaj projekteve nga vendet në rrjedhën e sipërme (si Etiopia) që do t’i privonin nga pjesa e tyre e ujit.
Etiopia tha se nuk do të detyrohet nga këto traktate të vjetra dhe vendosi fillimin e ndërtimit të digës gjatë Pranverës Arabe, kur pati trazira politike në Egjipt.
Egjipti, Sudani dhe Etiopia nënshkruan një traktat të ri në vitin 2015, por bisedimet se si duhet ta përdorë Etiopia ujin e Nilit për të mbushur digën, janë prishur vazhdimisht.
Në vitin 2019, Grupi Ndërkombëtar i Krizave- një organizatë që punon për të parandaluar luftërat- paralajmëroi se një konflikt i armatosur është i mundur.
SHBA ndërhyri në vitin 2019, në përpjekje për të arritur një marrëveshje mes Egjiptit dhe Etiopisë, por pa sukses.
Bisedimet rifilluan vetëm tre javë përpara se Etiopia të njoftonte se kishte përfunduar mbushjen e digës.