Tensionohen marrëdhëniet PS-LSI

Tensionet dhe konfliktet në këtë betejë elektorale, mes PS dhe LSI, kanë qenë mjaft të shpeshta dhe në disa raste kanë degjeneruar edhe në dhunë. Pas daljes së rezultateve paraprake, marrëdhëniet mes PS dhe LSI janë tensionuar akoma më shumë. Përfaqësues të LSI nuk po përballen dot me idenë se kjo forcë politike kaloi në opozitë, ndryshe nga pretendimet e ish-kreut Ilir Meta, i cili bënte thirrje se LSI do të merrte drejtimin e vendit, me kryeministër Petrit Vasilin. Në këto kushte, LSI e ka humbur përfundimisht toruan duke i shpeshtuar konfliktet dhe tensionet me përfaqësues të PS në terren. Përfaqësues të LSI nuk e kanë përmbajtur veten gjatë procesit të numërimit të votave për kreun e Bashkisë së Kavajës. Kjo bashki është e majtë pasi ish-kreu i saj, Elvis Roshi, gëzon mbështetje elektorale dhe, me shumë gjasa, këtë bashki do ta kryesojë sërish një i majtë. Në zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës, ku po vijon numërimi i kutive të votimit, dje rreth orës 18:00 në KZAZ nr. 42, gjakrat janë nxehur duke sjellë një përplasje mes vëzhguesve të PS dhe të LSI. Sipas të dhënave, nënkryetari i Bashkisë së Kavajës, Parid Xhihani, nga radhët e PS, është goditur nga Gerti Ismaili, nga radhët e LSI. Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të KZAZ nr. 42 në qytetin e Kavajës, ndërsa më pas u zhvendos jashtë dhe u përfshinë edhe komisionerë, numërues dhe vëzhgues të tjerë të KZAZ. Shkak për sherrin mësohet se është bërë fikja e një kompjuteri që hidheshin të dhënat e votimeve. Si pasojë e incidentit u ndërpre edhe procesi i numërimit të votave për mbi një orë, nga 18:00 deri në 19:10 për t’iu rikthyer më pas normalitetit. Pasi u përshkallëzua situata, dera e qendrës u mbyll nga forcat e rendit, ndërsa brenda ndodhen anëtarët e KZAZ, por numëruesit jashtë. “Situatë e pakuptimtë, një mospërputhje mes komisionerëve të PS-së dhe LSI. Aty janë përfshirë edhe numërues dhe vëzhgues të akredituar nga partitë politike. Nuk dihet se çfarë e shkaktoi kontestimin mes dy palëve. Vëzhguesit e forcave politike kanë kërkuar që të futen në qendrën e numërimit, por nuk janë lejuar. Aty brenda ndodheshin rreth 200 persona, ne nuk na lejohet të hyjmë brenda. Se dimë konkretisht se çfarë ka ndodhur. Vëzhguesit e tre forcave ndodhen jashtë dhe kërkojnë që të hyjnë brenda që të mbrojnë votat”, pohoi nga vendngjarja gazetari i ‘Neës24’.

Bllokimi i numërimit në KZAZ te Vasil Shanto

Në KZAZ 35 te “Vasil Shanto” te njësia numër 5 është bllokuar numërimi i votave. U larguan numëruesit e PD duke e bllokuar numërimin dhe duke vonuar shpalljen e rezultatit përfundimtar. Sipas raportimeve nga terreni, numëruesit e PD lanë hapur kutinë e votave dhe pa e përfunduar u larguan nga KZAZ pa asnjë arsye. Njëra nga anëtaret e komisionit të KZAZ 35, pjesë e PS, u shpreh se në përfundim të kutisë 18/38 numëruesit e PD u larguan, ndërsa Halim Kosova nuk ka pranuar që të prononcohet. “Numërimi do të rifillojë shumë shpejt, PD mbështet numërimin deri në votën e fundit”, tha Halim Kosova. Ndërsa Pandeli Majko shtroi si argument lodhjen e komisionerëve. “Dua të besoj se shkak është lodhja fizike. Nuk besoj që do të ketë bllokim, njerëzit janë të lodhur, besoj që duhen mirëkuptuar”, tha Majko. Ndoshta mund të jetë bërë shkak edhe lodhja, por njësia 5 është e majtë dhe në çdo zgjedhje ka luajtur rol vendimtar për rezultatin përfundimtar zgjedhor.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme