Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar ndaj vendimit të Provincës së Ontarios për të vendosur një tarifë shtesë prej 25% mbi të gjitha eksportet e energjisë elektrike drejt Shteteve të Bashkuara, duke kërcënuar se do ta “marrë të gjithën mbrapsht” me tarifa reciproke më 2 prill.
“Pavarësisht faktit që Kanadaja po i ngarkon SHBA-së tarifa nga 250% deri në 390% mbi shumë nga produktet tona bujqësore, Ontario sapo njoftoi një tarifë 25% mbi ‘energjinë elektrike’, nga të gjitha gjërat, dhe ju nuk keni as të drejtë ta bëni këtë,” shkroi Trump në platformën *Truth Social*.
“Meqenëse tarifat tona janë reciproke, ne thjesht do ta marrim të gjithën mbrapsht më 2 prill.”
Ai përsëriti pretendimet e tij të mëparshme se Kanadaja është një “abuzuese me tarifat” dhe sugjeroi se SHBA-ja nuk do ta “subvencionojë më Kanadanë”.
“Nuk na duhen makinat tuaja, nuk na duhet druri juaj, nuk na duhet energjia juaj, dhe shumë shpejt do ta kuptoni këtë,” shkroi Trump.
Komentet e tij vijnë më pak se një ditë pasi kryeministri i Ontarios, Doug Ford, njoftoi një tarifë shtesë prej 25% mbi energjinë elektrike që Ontario furnizon në tre shtete amerikane, përfshirë Neë York, Michigan dhe Minnesota.
Ford gjithashtu paralajmëroi se nuk do të hezitojë ta rrisë tarifën ose madje të ndalojë plotësisht eksportin e energjisë nëse lufta tregtare vazhdon.
Kjo tarifë është një nga masat kundërvepruese të marra nga qeveria provinciale si përgjigje ndaj tarifave të vendosura nga presidenti Trump mbi mallrat kanadeze.
Në një deklaratë për shtyp të lëshuar të hënën në mëngjes, qeveria e Ontarios tha se kjo masë pritet të sjellë “300,000 deri në 400,000 dollarë të ardhura në ditë” dhe të rrisë faturat e disa konsumatorëve amerikanë që varen nga energjia elektrike nga Ontario me rreth “100 dollarë kanadezë në muaj”.
Ontario aktualisht furnizon me energji elektrike rreth “1.5 milionë shtëpi dhe biznese” në tre shtetet amerikane.