Rastet e përleshjeve dhe tentim vrasjeve janë rritur me të madhe. Në këto incidente, jo rrallëherë përdoren edhe armët e mjete të tjera të rrezikshme, që shumica e të dyshuarve i mbajnë pa autorizim. Media raportoi të enjten në mbrëmje për një rast të tillë që ka ndodhur në një kompani ndërtimi në Prishtinë.
Një punëtor është sulmuar nga dy persona, njëri prej të cilëve e ka rrahur, e tjetri e ka therur me një mjet të mprehtë.
Mësohet se dy të dyshuarit për rastin janë Sabri Haliti dhe djali i tij E.Haliti. Ky i fundit ka përfunduar në ndalim policor, pasi dyshohet se e ka goditur viktimën me thikë.
Në bazë të informacioneve të para, fillimisht 49-vjeçari i kishte shkuar viktimës deri te puna, ku dyshohet se e ka sulmuar për shkak të një mosmarrëveshje momentale.
Njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se me një thikë e kishte goditur viktimën mashkull kosovar dhe si pasojë viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Personi i dyshuar me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”